Fate Velajt, nuk i rrihet pa bërë “çudira”: Diplomacia shqiptare, tani edhe te shkallët e avionëve

Kur mendon se protokolli diplomatik është i ngurtë, formal dhe i paracaktuar në çdo sekondë, mjafton një ditë në aeroportin e Vjenës për t’u bindur se ka një burrë që e rrëzon këtë mit: Fate Velaj.

Ambasadori ynë në Austri, i cili duket se ka një alergji të natyrshme ndaj rutinës, u shfaq te shkallët e avionit për të takuar Presidentin Bajram Begaj gjatë ndalesës së tij drejt Pragës. Sepse pse të takohesh në zyrë, në ambasadë apo në takime të planifikuara, kur mund të rishpikësh diplomacinë… në pistë?

Sipas njoftimit zyrtar, Velaj dhe Presidenti “shkëmbbyen mendime për zhvillimet në Europë dhe marrëdhëniet Shqipëri–Austri”, ndërsa realisht skena kishte të gjithë elementët e një filmi dokumentar: Presidenti në nxitim, avioni gati për t’u nisur, dhe ambasadori që shfaqet me energjinë e dikujt që i pëlqen të jetë kudo — veç aty ku e pret protokolli.

Ironikisht, ky takim i shkurtër u paraqit si një event madhor diplomatik, ndonëse shumëkush pyeti me vete: Kaq e vështirë është të caktohet një orë zyrtare takimi? Apo Velajt thjesht nuk i reziston tundimit për pak “show” diplomatik?

Gjithsesi, ambasadori u shpreh i nderuar nga vlerësimi i Presidentit. Dhe me të drejtë: jo çdo ditë dikush arrin të kthejë shkallët e avionit në podiumin e tij personal të politikës së jashtme.

Në fund të fundit, diplomacia shqiptare ka marrë një kthesë interesante: nga sallat e konferencave, drejt pistave të aeroportit. Falë Fate Velajt — njeriut që nuk i rrihet pa bërë “çudira”.

Ndaj Postimin: