Farage pranon ftesën e Ramës për të vizituar Shqipërinë, por këmbëngul në shifrat për shqiptarët në burgje në Britani

Nigel Farage pranon ftesën për vizitë në Shqipëri, por mbron deklaratën e tij se një në 50 shqiptarë ndodhet pas hekurave në Britani, duke tensionuar sërish debatin me kryeministrin Rama.

Deputeti britanik Nigel Farage ka bërë të ditur se do të vizitojë Shqipërinë, pas ftesës publike nga kryeministri Edi Rama, me qëllim që të diskutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për shifrat e përfolura të shqiptarëve në burgjet britanike. Në një videomesazh të publikuar së fundmi, Farage e akuzoi Ramën për hipokrizi, duke e krahasuar marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për refugjatët me qëndrimin kundërshtues ndaj politikave të Britanisë.

Farage deklaroi se ka verifikuar dy herë të dhënat e tij dhe se nuk tërhiqet nga pretendimi se një në 50 shqiptarë ndodhet në burg në Mbretërinë e Bashkuar. Ai shprehu habi që Rama kundërshton shifrat dhe tha se pret të diskutojnë nga afër, në vendin tonë, për të sqaruar publikisht të vërtetën.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama reagoi përmes një postimi në platformën “X”, ku e ironizoi Farage për paqëndrueshmërinë e deklaratave të tij, duke sjellë si shembull një përgënjeshtrim të vetë Farage, i cili më pas tha: “Ndoshta është një në tre, apo një në katër, nuk e di.”

Rama e kundërshtoi hapur analizën e publikuar në The Telegraph, e cila mbështet deklaratën e Farage, duke sjellë të dhëna zyrtare nga Ambasada e Shqipërisë në Londër. Sipas këtyre të dhënave, numri i shqiptarëve që jetojnë aktualisht në Britani tejkalon 300 mijë, e jo 53 mijë, siç pretendohet nga burime të tjera mediatike.

Ai shtoi se shqiptarët në Britani janë kryesisht qytetarë që kontribuojnë me dinjitet në shoqëri – mjekë, infermierë, punëtorë ndërtimi dhe kujdestarë për të moshuarit – e jo të dhëna për t’u përdorur në retorikën e vjetëruar të Brexit-it.

Në reagimin e tij të gjatë, Rama e ftoi sërish Farage që ta vizitojë Shqipërinë, jo vetëm për të diskutuar shifrat, por edhe për të parë nga afër realitetin shqiptar, larg perceptimeve politike. Ai i bëri thirrje Farage të largohet nga diskursi kundër komuniteteve të huaja dhe të rikthehet në frymën e traditës liberale britanike.

Në fund të postimit, Rama la të hapur një diskutim publik me Farage në Shqipëri, me kushtin që të flitet mbi fakte konkrete dhe jo mbi deklarata të bazuara në frikë, spekulime dhe retorikë politike të tejkaluar.

Ndaj Postimin: