Fara susami me aflatoksinë në tregun shqiptar, AKU bllokon produktin dhe u bën thirrje qytetarëve ta kthejnë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar për praninë në Shqipëri të farave të susamit të kontaminuara me aflatoksinë, një substancë e rrezikshme për shëndetin. Alarmimi ka ardhur përmes sistemit europian të sigurisë ushqimore RASFF, pas kontrolleve të kryera jashtë vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, produkti i identifikuar është fara susami të zeza natyrale, të paketuar në thasë 25 kilogramë, me origjinë nga Bolivia, ndërsa analizat laboratorike janë kryer në Holandë, ku është konstatuar prania e aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar.

Pas njoftimit, AKU ka ndërhyrë menjëherë duke bllokuar sasinë e identifikuar, e cila nuk do të lejohet të dalë në treg dhe është destinuar për asgjësim, sipas procedurave ligjore në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u ka bërë gjithashtu thirrje konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë ende në përdorim, ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes dhe të mos e konsumojnë.

AKU thekson se aflatoksina përbën rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht në rastet e ekspozimit të zgjatur, dhe se kontrollet në import vijojnë në mënyrë të përforcuar për të garantuar sigurinë ushqimore.

Autoritetet sigurojnë se situata është nën kontroll dhe se çdo informacion i ri do të bëhet publik në kohë reale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033