Faqja e Bashkisë së Tiranës sulmohet nga hakerat, grupi “Homeland Justice” merr përgjegjësinë

Hakerat ndërprenë funksionimin e faqes së Bashkisë së Tiranës, publikojnë të dhëna dhe fshijnë serverët sipas deklaratës së tyre

Një sulm kibernetik i pretenduar nga grupi “Homeland Justice” ka goditur faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Nëpërmjet një postimi në kanalin e tyre në Telegram, grupi tha se ka ndërhyrë në sistemin informatik, ka nxjerrë të dhëna të ndjeshme dhe ka fshirë serverët kryesorë të institucionit.

Mesazhi i publikuar nga hakerat ishte i shoqëruar me pamje krahasuese të faqes së Bashkisë para dhe pas sulmit. Në versionin e pas ndërhyrjes shfaqet një ekran bosh me efekt grafik të dëmtimit, që sipas grupit paraqet rezultatin e veprimeve të tyre.

“Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët,” thuhet në deklaratën e “Homeland Justice”, e cila akuzon Bashkinë për veprimtari të paligjshme, pa dhënë detaje konkrete.

Përveç pamjeve, grupi publikoi edhe një model 3D të godinës së Bashkisë me mbishkrimin “yes, you were right”, që interpretohet nga ndjekësit si një paralajmërim i mëparshëm tashmë i zbatuar.

“Homeland Justice” është një grup i lidhur me veprimtari kibernetike me prejardhje të dyshimtë iraniane. Ky grup u bë i njohur pas sulmeve ndaj portalit qeveritar e-Albania në korrik 2022, një ngjarje që mori vëmendje të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sipas analizës së Microsoft, pas këtij grupi qëndron një rrjet i ndërlidhur me Qeverinë iraniane, duke e renditur atë në listën e kërcënimeve serioze kibernetike që synojnë institucionet publike dhe infrastruktura të ndjeshme në Ballkan.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë dalë me një reagim zyrtar mbi ngjarjen, ndërsa pritet një hetim nga strukturat përkatëse për të vërtetuar shkallën e dëmit dhe burimin e sulmit.

Ndaj Postimin: