Falje kamatash për fermerët: si përfitojnë nga Marrëveshja e Paqes Fiskale

Marrëveshja e Paqes Fiskale përfshin edhe fermerët që jetojnë dhe punojnë në fshat. Ata që kanë vite të prapambetura pa paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nëse i derdhin kontributet brenda këtij viti, përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat.

Sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore, ekziston një diferencim mes fermerëve të zonave fushore dhe atyre të zonave malore. Fermerët në zonat malore paguajnë 33.3% më pak kontribute krahasuar me ata në zonat fushore.

Eksperti i Sigurimeve Shoqërore, Kujtim Hoxha, shpjegon se fermerët me tokë bujqësore dhe periudha të pambuluara kanë të drejtë të sigurohen për vitet e kaluara pa u penalizuar me kamatë. Sipas tij, masa e kontributit për fermerët në zona fushore është 420 mijë lekë të vjetra në vit, përfshirë sigurimin shëndetësor, ndërsa për ata që jetojnë në zona malore është 280 mijë lekë të vjetra.

Një tjetër lehtësi lidhet me krahasimin me të vetëpunësuarit në qytet. Ndërsa një i vetëpunësuar që bën sigurim vullnetar në qytet paguan rreth 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra në vit, fermerët në fshat paguajnë 420 mijë lekë të vjetra.

Kontributi në sigurime shoqërore dhe shëndetësore është gjithashtu një nga kriteret bazë për përfitimin e subvencioneve nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë. Në mungesë të këtij kontributi, fermerët rrezikojnë të mos përfitojnë mbështetjen financiare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033