Gjatë dy viteve të fundit janë dhënë 4.5 mijë leje qëndrimi për studentë dhe kërkues nga Shqipëria në vendet e BE-së
Vendet e Europës, me Gjermaninë në krye, kanë shënuar një rritje të jashtëzakonshme të numrit të lejeve për studentët dhe kërkuesit shqiptarë gjatë viteve 2023 dhe 2024. Sipas të dhënave të Eurostat, për dy vitet e fundit janë lëshuar rreth 4,500 leje qëndrimi për këtë kategori, duke krijuar një rekord rajonal.
Në vitin 2023, Europën e përshkoi numri prej 2,278 lejesh, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan edhe 2,218 të tjera për studentë dhe kërkues shqiptarë. Kjo shifër është shumë më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme, kur në 2021 u dhanë rreth 1,500 leje dhe në 2019 vetëm 1,150.
Rritja e dukshme lidhet kryesisht me rolin që ka marrë Gjermania në këtë proces. Në vitin 2022, ky vend dha 1,387 leje, duke përfaqësuar 60% të totalit në BE, ndërsa në 2023 numri u rrit në 1,417, ose 63% e totalit për të gjithë vendet e Bashkimit Europian.
Pas Gjermanisë renditet Franca me 191 leje në 2022 dhe 225 në 2023. Austria, Spanja dhe Holanda vijojnë listën me numra më të vegjël, ndërsa Rumania ka dhënë rreth 50 leje në vit. Shqipëria renditet e para për numrin e lartë të lejeve për studentë në BE, duke lënë pas Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.
Gjermania është sot destinacioni kryesor jo vetëm për profesionistët shqiptarë, por edhe për ata që kërkojnë të ndjekin studimet e larta. Në vitin 2023, shqiptarët që morën leje studimi në këtë vend ishin në nivel të ngjashëm me shtetas nga Brazili, Ukraina, Kolumbia dhe Meksika, vende me popullsi shumë më të madhe.
Në total, Bashkimi Europian lëshoi në 2023 rreth 451,000 leje për qëndrime studimi dhe kërkimesh shkencore. Gjermania kryesoi listën me 144,000 leje, ndjekur nga Franca me 117,000 dhe Spanja me 55,000. Përfituesit kryesorë ishin shtetas të Indisë, Kinës, Marokut dhe SHBA-së, ndërsa shqiptarët janë ndër grupet me rritjen më të shpejtë në këtë fushë.


