Franca dhe vende të tjera të Evropës përballen me temperatura rekord që kanë detyruar autoritetet të mbyllin shkolla dhe të shpallin alarm e për rrezik të lartë nga të nxehtit.
Europa po përballet me një valë përvëluese të të nxehtit, që ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore dhe arsimore në disa vende. Në Francë, afro 200 shkolla janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht si masë mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin.
Sipas autoriteteve franceze, 84 nga 96 rajonet kontinentale ndodhen nën alarmin portokalli, niveli i dytë më i lartë i rrezikut. Ministrja e Tranzicionit Ekologjik, Agnès Pannier-Runacher, e përshkroi situatën si “të paparë”, duke theksuar nevojën për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe strukturat shtetërore.
Nxehtësia ekstreme nuk ka kursyer as vendet e tjera të Evropës. Paralajmërime për temperatura të rrezikshme janë lëshuar edhe në Spanjë, Portugali, Itali, Gjermani, Britaninë e Madhe dhe disa vende të Ballkanit. Shërbimet e urgjencës në këto shtete janë vendosur në gatishmëri të lartë.
Në fundjavë, El Granado në Andaluzi regjistroi 46 gradë Celsius, ndërsa në Mora të Portugalisë qendrore u shënua rekordi i ri prej 46.6 gradësh. Të dyja rastet shënuan ditët më të nxehta të qershorit ndonjëherë në këto vende.
Autoritetet shëndetësore në të gjithë rajonin po i bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin ekspozimin në diell dhe të kujdesen veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët. Qendrat shëndetësore kanë shtuar kapacitetet për të përballuar fluksin e mundshëm të rasteve me probleme të lidhura me të nxehtin.
Vala e të nxehtit ka filluar prej më shumë se një jave dhe pritet të arrijë pikun në mes të kësaj jave, sipas parashikimeve meteorologjike. Ekspertët e klimës e shohin këtë fenomen si pjesë e një tendence në rritje të ekstremeve klimatike, të ndikuara nga ndryshimet klimatike globale.