Investigimi ndërkombëtar ngre alarmin: grupet shqiptare të drogës po zgjerohen në Europë, ndërsa qeveria shqiptare akuzohet për lidhje me rrjete kriminale.
Një Audi A8 e zezë, ndalur një natë tetori në Fier në vitin 2013, shënoi fillimin e një prej historive më të debatueshme mbi lidhjet mes pushtetit dhe trafikut të drogës në Shqipëri. Inspektori i policisë, Dritan Zagani, e kishte ndjekur makinën prej javësh, por kur mjeti u shoqërua në komisariat, urdhri për të mos e kontrolluar ndryshoi gjithçka, kështu e nis Antoine Harare investigimin e tij për portalin Follow the Money.
Audi-i dyshohej se përdorej nga trafikantë, por sapo u mësua se makina i përkiste ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, hetimi u orientua kundër vetë Zaganit. Ai u akuzua për kalim kompetencash, ndërsa çështja e drogës u mbyll nën heshtje.
Sot, Zagani jeton i fshehur në Zvicër, me identitet të ri. Ai thotë se frika e tij e dikurshme është bërë realitet: “Shqipëria është kthyer në një narko-shtet”, për të cilin krimi i organizuar dhe pushteti veprojnë së bashku.
Në qendër të kritikave është kryeministri Edi Rama, që në arenën ndërkombëtare shfaqet si reformator dhe mbështetës i sundimit të ligjit. Megjithatë, investigimi i “Follow the Money” dhe platformës “BLAST” tregon se gjatë dhjetë viteve të qeverisjes së tij, grupet kriminale janë bërë më të fuqishme se kurrë.
Rrjetet e trafikut shqiptar kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre në Europë, veçanërisht në tregtinë e kokainës dhe kanabisit. Hetimet e policive italiane, belge dhe spanjolle faktuan se organizatat shqiptare operojnë në mënyrë të centralizuar dhe të sofistikuar.
Në Itali, ku ndikimi është më i dukshëm, autoritetet kanë zhvilluar super-operacione kundër grupeve shqiptare. Operacioni “Tornado” në Brescia çoi në arrestime masive dhe sekuestrimin e qindra kilogramëve kokainë me vlerë dhjetëra milionë euro.
Sipas hetuesve italianë, grupet shqiptare kanë krijuar skema të avancuara për pastrimin e parave, duke përdorur kompani fantazmë dhe rrjete fiktive faturimesh që shtrihen në Europë dhe Azi. Në shumë raste, qendrat e kontrollit ndodhen në Shqipëri.
Ndonëse qeveria shqiptare prezanton reforma për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, kritikat vazhdojnë për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë. SPAK, struktura që supozohej të ishte e pavarur, në praktikë shfaq kufizime të theksuara.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, sot i arratisur dhe nën azil në Zvicër, akuzon Ramën se përdor drejtësinë për të goditur kundërshtarët. Ai thotë se SPAK ka shërbyer më shumë si instrument frikësimi politik sesa si organ anti-korrupsion.
Edhe policia italiane shpreh mosbesim ndaj institucioneve shqiptare, duke deklaruar se korrupsioni i brendshëm e bën bashkëpunimin të brishtë. Pagat e ulëta dhe mungesa e kontrollit pasuror e thellojnë rrezikun e infiltrimit.
Ndërkohë, mafia shqiptare është futur deri në Amerikën Latine, duke siguruar marrëveshje të drejtpërdrejta me kartelët kolumbianë dhe me rrjete të tjera të trafikut. Eliminimi i ndërmjetësve u ka dhënë atyre fitime më të mëdha dhe më shumë fuqi.
Në portet europiane, nga Roterdami në Antverp, dërgesat e kokainës të lidhura me rrjete shqiptare janë rritur deri në nivele rekord. Raportet e Europol dhe UNODC e rendisin mafian shqiptare ndër më të rrezikshmet në kontinent.
Ndërsa struktura të tëra kriminale zgjerojnë rrjetet dhe fuqinë ekonomike, BE vazhdon të mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Ursula von der Leyen ka përgëzuar publikisht Ramën për reformat dhe “progresin e jashtëzakonshëm”.
Kjo mbështetje ngre një pyetje që po shtrohet gjithnjë e më hapur në qarqet investigative dhe politike: a po mbyll Europa sytë ndaj kapjes së shtetit nga krimi, për hir të interesave strategjike në Ballkan?


