Euro bie, por deficiti i jashtëm rritet nga importet dhe turizmi

Deficiti i jashtëm i Shqipërisë u thellua në tremujorin e dytë, i ndikuar nga importet më të larta dhe ngadalësimi i të ardhurave nga turizmi.

Deficiti i llogarisë korrente në Shqipëri u rrit në tremujorin e dytë 2025, duke arritur në 263 milionë euro. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kjo është një rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse për të gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit deficiti ka mbetur në rënie me 3.1%, duke arritur 561 milionë euro, niveli mbetet ndër më të lartët pas pandemisë. Efekti i sezonit turistik pritet të ngushtojë diferencën në tremujorin e tretë.

Deficiti tregtar në mallra vijon të jetë faktori kryesor i hendekut, me një vlerë prej 2.71 miliardë eurosh në gjashtëmujor, ose 4% më shumë se një vit më parë. Në tremujorin e dytë eksportet ranë, ndërsa importet mbajtën një ritëm rritjeje, duke shtuar presionin në bilanc.

Rënia e eksporteve në mallra po kompensohet pjesërisht nga shërbimet, të cilat shënuan një bilanc pozitiv prej 1.59 miliardë eurosh, në rritje me 6.4% krahasuar me vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e këtij kontributi vjen nga turizmi.

Turizmi solli 798 milionë euro të ardhura neto në gjashtëmujorin e parë, një rritje prej 7.8%, por ritmet e rritjes po ngadalësohen. Ndërkohë, sektori i fasonerisë mbeti pothuajse i pandryshuar, me 361 milionë euro të ardhura, vetëm 0.8% më shumë.

Një tjetër burim i rëndësishëm i mbështetjes së bilancit janë remitancat, të cilat arritën në 532 milionë euro, niveli më i lartë historik për gjashtëmujorin e parë. Kjo rritje lidhet me valët e reja të emigrimit në dekadën e fundit.

Flukset negative në bilanc mbulohen pjesërisht nga investimet e huaja direkte, të cilat arritën në 759 milionë euro në gjashtëmujor, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1% krahasuar me vitin e kaluar.

Pavarësisht përkeqësimit të deficitit, euro vijoi rënien. Kursi mesatar në tremujorin e dytë 2025 ishte 98.4 lekë, nga 100.7 lekë një vit më parë, sipas Bankës së Shqipërisë.

Ky zhvillim tregon një kombinim të sfidave strukturore në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, ku pavarësisht përmirësimeve në turizëm e remitanca, importet dhe ngadalësimi i sektorëve të tjerë vazhdojnë të rëndojnë bilancin e jashtëm të vendit.

Ndaj Postimin: