Euro ka arritur sot nivelin më të ulët të këmbimit që nga themelimi, duke u shkëmbyer me 97.3 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke treguar rënie të fortë në fillim të gushtit.
Kursi i këmbimit të euros vazhdon të dobësohet, duke regjistruar rekorde negative në fillim të muajit gusht. Sipas të dhënave zyrtare, euro u shkëmbye me 97.3 lekë, niveli më i ulët i parë ndonjëherë në tregun zyrtar shqiptar.
Gjatë fundjavës, tregjet e këmbimit valutor shënuan edhe vlera më të ulëta se kursi zyrtar, pasi në pikat e këmbimit, mesatarisht, euro u tregtua poshtë 97 lekëve. Megjithatë, këto çmime nuk reflektohen në kursin zyrtar që publikohet vetëm gjatë ditëve të javës.
Agjentët ekonomikë lidhin këtë rënie me fluksin e madh të valutës që po vijon gjatë sezonit turistik, veçanërisht gjatë fundjavave. Kjo gjendje po ushtron presion të fortë rënëse në kursin euro-lek, megjithëse sondazhet tregojnë se numri i pushuesve është më i ulët në krahasim me vitin e kaluar.
Në javët e fundit, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk po arrijnë të ndalojnë këtë rënie të vazhdueshme. Banka Qendrore po kryen blerje direkte valutore për të ulur ofertën e valutës në treg, por efektet janë të kufizuara.
Të dhënat zyrtare për volumin e blerjeve të Bankës janë publikuar me vonesë prej tremujori dhe aktualisht nuk ka informacion të saktë mbi sasinë e valutës që banka po tërheq nga tregu.
Në korrik-gusht të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë bleu rreth 176 milionë euro, një shumë që e mbajti kursin mbi nivelin 98 lekë, por duket se këtë vit blerjet nuk kanë qenë në të njëjtin nivel.
Statistikat më të fundit tregojnë se për tremujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente u ul në 212 milionë euro, një tkurrje prej 41% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky rezultat pozitiv lidhet me rënien e deficitit në mallra dhe zgjerimin e suficitit në shërbime, me turizmin që mbetet faktor kryesor. Të ardhurat neto nga turizmi arritën në 295 milionë euro, duke shënuar rritje prej 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të 2024-ës.
Përveç sezonit të pushimeve, vlera e madhe e valutës që hyn në ekonomi vjen edhe nga investimet e huaja në pasuri të paluajtshme, sidomos në zonat bregdetare ku blerjet e huaj mbeten të larta.
Sipas të dhënave zyrtare, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për tremujorin e parë të vitit arritën në 104 milionë euro, një rritje prej 24% nga viti i kaluar.
Ndërkohë, politika fiskale e qeverisë, e karakterizuar nga suficite buxhetore, po ndihmon në forcimin e monedhës kombëtare. Ministria e Financave njoftoi se buxheti për 6-mujorin e parë të 2025-ës mbylli me suficit prej 33.1 miliardë lekësh, megjithëse kjo është një rënie prej 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


