Erzen Breçani para Gjykatës së Posaçme: “Kam ndjekur kriminelët gjithë jetën, nuk kam pse t’i përkrah”

Gjykata e Posaçme ka vendosur të shpallë moskompetencën dhe të dërgojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj ish-zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, dhe ish-punonjëses së policisë, Jonida Babameto.

Vendimi është marrë pasi gjatë shqyrtimit të dosjes në seancën paraprake, nuk u provua se të pandehurit kishin vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të dy pritet të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Në seancën e zhvilluar, Breçani ka kundërshtuar akuzat e SPAK dhe ka deklaruar se gjatë gjykimit do të provojë pafajësinë e tij. “Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK. Për akuzën e ‘pastrimit të parave’, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para”, tha Breçani. Ai shtoi se “paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese”, duke argumentuar se burimi i financimit është i ligjshëm.

Breçani gjithashtu ka folur për njohjen e tij me Bujar Ajetin Gërmizin, një prej të pandehurve të tjerë, dhe ka theksuar se e njeh që kur ishin fëmijë dhe më vonë gjatë kohës që ishin pjesë e RENEA-s. Sipas tij, Ajeti nuk ka qenë asnjëherë person në kërkim nga shteti shqiptar. “Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam pse të përkrah këtë kategori tani”, theksoi ai, duke e mohuar çdo lidhje me veprimtarinë kriminale.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme pranoi gjykimin e shkurtuar për disa të pandehur të tjerë, përfshirë Ismail Zenelin, Bujar Ajetin, Besmir Murtatin, Adrian Cenajn, Albert Prengën dhe Dedan Gjonin. Ata akuzohen si anëtarë të një grupi kriminal që trafikon kokainë, siguron kushte për kryerjen e vrasjeve dhe merret me pastrim parash.

Breçani në dëshminë e tij shtoi se, gjatë hetimit njëvjeçar, prokuroria ka kryer një vlerësim për hidrocentralin, por nuk ka realizuar ekspertimin e kontabilitetit për të provuar akuzat e paraqitura. Ai ka insistuar se burimi i financimit është i pastër dhe i verifikuar, duke ardhur vetëm nga firma e vëllait të tij.

Për sa i përket Bujar Ajetit, Breçani sqaroi se ky kishte një vendim nga Gjykata Shqiptare, ku dënimi i tij ishte parashkruar. Sipas Breçanit, Ajeti kishte pasaportën dhe kishte udhëtuar jashtë pa u ndaluar nga autoritetet, duke mos qenë në kërkim. “Ka qenë objekt i OFL-së, ku ka firmosur pas gjithë këtyre veprimeve”, shtoi ai, duke kërkuar që gjykimi të vazhdojë me procedurë të zakonshme.

Ky proces gjyqësor ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, dhe do të vazhdojë të zbardhë detaje të reja lidhur me akuzat ndaj të pandehurve të përfshirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera