Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe dërguar për shqyrtim në Kuvend propozimet për dy anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke përmbyllur procedurën e përzgjedhjes për këtë institucion kyç financiar.
Sipas vendimit të qeverisë, kandidatët e propozuar janë Ervin Mete dhe Jonida Prifti, të cilët pritet t’i nënshtrohen procesit të miratimit parlamentar.
Ervin Mete është një figurë e njohur në fushën e financave publike dhe mbikëqyrjes financiare. Ai është shkëputur nga politika aktive në vitin 2024, kur mbante postin e ministrit të Financave, dhe më herët ka drejtuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, institucion përgjegjës për kontrollin e tregjeve financiare jobankare. Burime zyrtare bëjnë me dije se profili i tij profesional është vlerësuar pozitivisht edhe nga institucione ndërkombëtare.
Jonida Prifti është emri i dytë i propozuar për Këshillin Mbikëqyrës, në kuadër të të njëjtës procedurë përzgjedhjeje, pa u bërë publike detaje të mëtejshme mbi arsyetimin e zgjedhjes së saj.
Vendimi i qeverisë është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, duke i hapur rrugë Kuvendit që të shqyrtojë dhe të vendosë për përbërjen e re të Këshillit Mbikëqyrës.
Nëse miratohen nga Parlamenti, dy emrat e propozuar do të bëhen pjesë e organit më të lartë vendimmarrës të Bankës së Shqipërisë, i cili ka rol thelbësor në mbikëqyrjen e politikave monetare, stabilitetit financiar dhe funksionimit të sistemit bankar në vend.