Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2 në Tiranë janë efektivët që neutralizuan dhe arrestuan në flagrancë autorin e grabitjes së një banke në kryeqytet.
Bëhet fjalë për Inspektor Ermal Çekun dhe Inspektor Eduart Salikon, të cilët ndërhynë menjëherë pas njoftimit për grabitjen dhe arritën të ndalonin 58-vjeçarin e armatosur teksa tentonte të largohej me shumën e parave të marra nën kërcënimin e armës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, zhvilluan një takim me dy efektivët për t’i falënderuar për reagimin e tyre.
Gjatë fjalës së tij, Proda theksoi se ndërhyrja në kohë rekord dhe menaxhimi i situatës përballë një personi të armatosur përbëjnë shembull profesionalizmi.
“Përballë një personi të armatosur, vepruat me vendosmëri dhe kontroll të plotë të situatës, duke neutralizuar autorin dhe sekuestruar armën e zjarrit dhe shumën e parave të grabitura. Këto janë veprime që nderojnë uniformën dhe forcojnë autoritetin e Policisë së Shtetit”, u shpreh ai.
Ngjarja ndodhi në mesditë, kur autori hyri në bankë me armë zjarri dhe mori rreth 2 milionë lekë, por u arrestua në dalje nga patrulla që ndodhej pranë zonës.