Erisa Xhixho: Projektbuxheti i propozuar favorizon oligarkët dhe varfëron qytetarët.

Partia e Lirisë ka shprehur shqetësime lidhur me projektbuxhetin e propozuar nga qeveria “Rama” për vitin e ardhshëm, duke e quajtur një buxhet që favorizon oligarkët dhe anashkalon pensionistët dhe familjet në nevojë.

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka theksuar se ky draft do të përkeqësojë situatën ekonomike të qytetarëve, duke i shtuar barrën financiare dhe duke rritur varfërinë.

Xhixho ka analizuar disa nga aspektet kryesore të këtij buxheti, ku thekson se qeveria po kanalizon fondet publike për përfitimet e klientelës së saj. Për shembull, janë parashikuar 0.88 miliardë lekë për kontrollin e check-up-it, një program që aktualisht po hetohet për afera të mundshme korruptive, dhe 1.9 miliardë lekë për koncesionin e sterilizimit.

Gjithashtu, buxheti përfshin një shtesë prej 1.9 miliardë lekësh për shërbimet spitalore, por qytetarët shqiptarë vazhdojnë të mbulojnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre. Për më tepër, 1.3 miliardë lekë janë caktuar për inceneratorin e Tiranës, që Xhixho e quan një projekt “fantazmë” që vazhdon të rëndojë mbi taksapaguesit.

Analiza e saj tregon se fatura totale për projektet korruptive të njohura si PPP do të arrijë në 777 miliardë lekë, duke përbërë një barrë të rëndë për qytetarët. Nga ana tjetër, fondet për pensionet janë vetëm 1.6 miliardë lekë, që përkthehet në një rritje të papërfillshme, jo më shumë se 1%, ndërkohë që inflacioni i parashikuar është tri herë më i lartë.

Ndërkohë, buxheti i vitit 2025 nuk parashikon fonde shtesë për pagat dhe, për më tepër, përfshin një ulje të fondit të ndihmës ekonomike. Kjo situatë, sipas Xhixhos, dëshmon se qeveria po vazhdon të lërë në harresë shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, duke thelluar pabarazinë.

Në përfundim, Xhixho thekson se ky projektbuxhet veçse thellon varfërinë e qytetarëve shqiptarë, duke shpërndarë pasuritë publike në duart e pak vetëve dhe duke lënë mënjanë interesat e përgjithshëm të shoqërisë.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera