Eric Adams sheh Shqipërinë si urë bashkëpunimi mes Vlorës dhe Nju Jorkut

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, gjatë vizitës në Shqipëri, e cilësoi vendin si një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm, inovacion dhe lidhje të reja ndërkombëtare.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka nisur një vizitë katërditore në Shqipëri, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve. Gjatë qëndrimit në Vlorë, ai dha një intervistë për mediat shqiptare, duke ndarë përshtypjet e para për vendin dhe planet e mundshme për bashkëpunim.

Adams tregoi se ideja për të vizituar Shqipërinë kishte lindur vite më parë, pasi i biri i tij kishte performuar në vend dhe ishte mahnitur nga bukuritë natyrore e mikpritja shqiptare. Ai tha se gjatë mandatit si kryebashkiak kishte pasur komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Edi Rama dhe se kishte premtuar ta vizitonte personalisht Shqipërinë për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

“Në Nju Jork jeton një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në Amerikë. Shumë prej tyre më kanë ftuar të vij këtu, dhe ishte koha e duhur për ta bërë këtë. Nju Jorku është, në njëfarë mënyre, ‘Shqipëria e Amerikës’,” – tha Adams me një buzëqeshje, duke vlerësuar lidhjet e forta njerëzore mes dy vendeve.

Kryebashkiaku shtoi se gjatë vizitës ka parë biznese të drejtuara nga gra dhe sipërmarrje inovative që mund të bashkëpunojnë me sektorë të ndryshëm në Nju Jork. Ai theksoi se turizmi është një fushë me potencial të madh për zhvillim të përbashkët, ku eksperienca e Nju Jorkut mund të shërbejë si model për promovimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Eric Adams e përshkroi Shqipërinë si një vend të sigurt dhe mikpritës, duke shtuar se “është e rrallë të ecësh nëpër rrugë ditën apo natën dhe të ndihesh kaq i qetë”. Ai tha se do të rekomandojë Shqipërinë si destinacion turistik për qytetarët e Nju Jorkut dhe se dëshiron të nxisë udhëtimet e ndërsjella mes dy vendeve.

Një nga projektet më ambicioze që Adams përmendi është nisma për një linjë ajrore direkte midis Nju Jorkut dhe Shqipërisë, e ngjashme me bashkëpunimin që tashmë ekziston mes Nju Jorkut dhe Azerbajxhanit. Ai e konsideroi këtë si një hap strategjik për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore.

Duke folur për Vlorën, Adams e quajti “një qytet të mrekullueshëm me potencial të jashtëzakonshëm turistik”. Ai shprehu dëshirën që njujorkezët të vijnë për ta vizituar qytetin bregdetar dhe, në të njëjtën kohë, vlonjatët të udhëtojnë drejt Nju Jorkut për të njohur një prej metropoleve më të mëdha në botë.

Ndaj Postimin: