Erald Kapri kërkon përgjigje nga Rama: “Do ta shkarkoni Ballukun tani që është nën akuzë nga SPAK?”

Deputeti Erald Kapri i partisë Mundësia i kërkoi publikisht kryeministrit Edi Rama të shpjegojë nëse do të shkarkojë Belinda Ballukun pas akuzave të SPAK, duke i kujtuar zotimin se PS nuk do të mbrojë asnjë zyrtar përballë drejtësisë.

Në seancën plenare ku të pranishëm ishin si kryeministri Edi Rama ashtu edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, deputeti Erald Kapri ngriti një pyetje direkte dhe të fortë politike mbi fatin e saj në qeveri. Kapri e nisi ndërhyrjen duke theksuar se prania e kryeministrit në sallë është bërë e rrallë dhe se kjo e bën edhe më të rëndësishëm debatin për buxhetin dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai kujtoi deklaratat e mëparshme të Ramës, i cili ka thënë publikisht se Partia Socialiste dhe qeveria nuk do të shërbejnë si mburojë për asnjë zyrtar që merret i pandehur nga drejtësia. Kapri tha se këto premtime po viihen në pikëpyetje, sidomos tani që dy zv.kryeministra njëri pas tjetrit janë vënë nën akuzë.

“Zoti kryeministër, keni thënë se PS nuk bëhet mburojë e askujt. Pyetja që bëjnë të gjithë shqiptarët është e qartë: zyrtarët që akuzohen nga SPAK do t’i shkarkoni apo jo?”, deklaroi ai.

Duke iu referuar samitit të zgjerimit të BE-së ku Rama ishte i pranishëm një ditë më parë, Kapri theksoi se kjo situatë dëmton imazhin e Shqipërisë përpara partnerëve perëndimorë. “Jam kurioz të di si ua shpjeguat partnerëve evropianë faktin që zëvendësit tuaj po akuzohen njëri pas tjetrit për korrupsion,” u shpreh ai.

Kapri theksoi se qeveria e ka shpallur luftën ndaj korrupsionit si prioritet të buxhetit dhe politikave publike, por kërkoi që kjo të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo me deklarata boshe. Ai e mbylli fjalën duke ripërsëritur pyetjen kryesore: “Belinda Balluku është nën akuzë nga SPAK. A do ta shkarkoni apo do ta mbani në detyrë?”

Reagimi i kryeministrit pritet në vijim të seancës, mes tensioneve të rritura politike që kanë shoqëruar rastet e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Ndaj Postimin: