Pothuajse një në pesë njësi energjie humbet në rrjet, përpara se të mbërrijë te konsumatori.
Në Shqipëri, humbjet e energjisë elektrike arrijnë në 19.4 për qind, sipas të dhënave për periudhën 2023-2024.
Shifra e rendit vendin ndër nivelet më të larta të humbjeve në Ballkanin Perëndimor dhe është më shumë se tre herë mbi mesataren e Bashkimit Europian, që është vetëm 6 për qind.
Të dhënat publikohen nga OECD, në Raportin e Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026.
Por Shqipëria nuk është e vetme.
Në rajon, humbjet mesatare janë 15.2 për qind, ndërsa Kosova regjistron nivelin më të lartë, me 21.9 për qind.
Pas saj renditet Shqipëria me 19.4 për qind, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ka nivelin më të ulët, me 10.4 për qind.
Sipas OECD-së, humbjet lidhen me dy faktorë kryesorë: humbjet teknike, që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe rrjetet e vjetruara, si edhe humbjet joteknike, ku ndikojnë edhe sistemet e vjetra të matjes.
Megjithatë, Shqipëria ka shënuar progres.
Në treguesin relativ të OECD-së, vendi ka kaluar nga 23 pikë në 2014-2016, në 28.4 pikë në 2023-2024.
Por hendeku me standardin europian, ku 100 pikë përfaqësojnë mesataren e BE-së, mbetet i konsiderueshëm.
Dhe kontrasti shfaqet te kostoja.
Bizneset në Ballkanin Perëndimor paguajnë mesatarisht 0.25 dollarë për kilovat-orë, kundrejt 0.26 dollarëve në Bashkimin Europian.
Në Shqipëri, treguesi relativ i kostos është rritur nga 48.2 pikë në 2014-2016, në 98 pikë në 2023-2024.
Në rajon, Kosova ka çmimin më të ulët, 0.18 dollarë për kilovat-orë, ndërsa Maqedonia e Veriut më të lartin, 0.38 dollarë, pothuajse 50 për qind mbi mesataren europiane.
Sipas OECD-së, çmimet ndikohen edhe nga energjia e prodhuar nga qymyri dhe subvencionet për lëndët djegëse fosile, ndërsa Shqipëria mbështetet kryesisht te hidroenergjia.
Në fund, dy shifra përmbledhin sfidën:
19.4 për qind energji humbet në rrjet, ndërsa kostoja relative për bizneset arrin në 98 pikë, kundrejt 100 pikëve të BE-së.
Pra, sfida nuk është vetëm sa kushton energjia, por edhe sa prej saj arrin realisht te konsumatori.