Energjia diellore sjell ndryshim në kopshtet publike në Lushnje

Dy kopshtet publike në Lushnje pajisen me panele diellore, përmirësojnë shërbimet për 300 fëmijë falë nismës së shoqatës “Zëri Qytetar” dhe mbështetjes së fondacionit Kredis. Investimi përforcon zgjedhjen e prindërve për kopshtet publike, duke ofruar kushte më të mira dhe kosto të ulët për familjet shqiptare.

Në qytetin e Lushnjes, dy kopshte publike kanë hyrë në një epokë të re, falë instalimit të paneleve diellore që sigurojnë energji të pastër për rreth 300 fëmijë. Ky investim është realizuar nga shoqata “Zëri Qytetar” përmes platformës Smile.al, në bashkëpunim me fondacionin Kredins.

Kopshti 1/4 dhe Kopshti 6 tashmë ofrojnë ambiente më të ngrohta dhe më efikase, duke ndihmuar si fëmijët ashtu edhe stafin. Përmirësimi i kushteve është përshëndetur nga kryetarja e Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, e cila vlerësoi çdo kontribut që ndihmon komunitetin.

Në një intervistë për TV Apollon, drejtori i Qendrës Arsimore pranë bashkisë, Muharrem Sharka, shprehu falënderime për “Zërin Qytetar” dhe vlerësoi mbështetjen financiare të fondacionit Kredis. Ai theksoi rëndësinë e investimeve që rrisin cilësinë e shërbimeve arsimore në qytet.

Prindërit tashmë ndihen më të sigurt në zgjedhjen e kopshteve publike, pasi investimet e viteve të fundit kanë sjellë përmirësime të ndjeshme. Dilema midis institucioneve publike dhe private po zbehet, pasi kopshtet shtetërore ofrojnë jo vetëm kushte më të mira, por edhe kosto të përballueshme.

Kopshtet publike në Lushnje kanë shënuar rritje të numrit të fëmijëve që i frekuentojnë, duke ofruar hapësira të përshtatshme për socializim dhe formim të hershëm. Stafi dhe infrastruktura po modernizohen çdo vit, në dobi të komunitetit.

Sipas drejtorit Sharka, kopshtet publike janë një zgjedhje e leverdishme për familjet shqiptare, pasi ulin kostot dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së fëmijëve. Investimet në energji të rinovueshme vlerësohen si hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të sigurt për brezat e rinj.

Raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Ndaj Postimin: