Një modele me origjinë shqiptare, Misse (Beqiri) Maloku, rezulton në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në lidhje me çështjen e Jeffrey Epstein.
Sipas materialeve të bëra publike, emri i saj përmendet në 204 shkresa, disa prej të cilave janë të redaktuara pjesërisht. Dokumentet përfshijnë komunikime elektronike të vitit 2011 mes saj dhe Epstein, si dhe mes saj dhe asistentes së tij, Lesley Groff.
Emaili i parë i datës 8 shtator 2011 tregon se modelja ishte prezantuar si një njohje e përbashkët përmes B. Tancredi dhe kishte njoftuar për një qëndrim në Nju Jork nga data 10 deri më 18 shtator. Në përgjigje, asistentja e Epstein ka kërkuar detaje shtesë, përfshirë fotografi dhe informacione kontakti.
Sipas dokumenteve, gjatë qëndrimit në Nju Jork i ishte ofruar akomodim në një apartament për mysafirë, ndërsa komunikimet vijuan edhe pas takimit të datës 17 shtator 2011 në rezidencën e Epstein në Manhattan.
Shkëmbimet e mëvonshme përfshijnë biseda për udhëtime në Paris, Milano dhe Karaibe, si dhe për mundësi në fushën e modës. Në disa komunikime vërehet një ton personal dhe miqësor.
Dokumentet publike përfundojnë me një komunikim të datës 22 mars 2012. Nuk dihet nëse ekzistojnë materiale të tjera përtej atyre të publikuara.
Misse Beqiri sot është 39 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo ka qenë e martuar me portierin danez Anders Lindegaard dhe në vitin 2016 ishte pjesë e reality show-t britanik “The Real Housewives of Cheshire”. Ajo është rritur në Suedi, ndërsa familja e saj është me origjinë nga Kosova.