Emigracioni zbraz Shqipërinë ndërsa lejet e BE-së shtohen

Shqiptarët po largohen në numra rekord, me mbi 154 mijë leje qëndrimi të reja të lëshuara nga Bashkimi Europian vetëm gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Emigracioni vijon të mbetet plagë e hapur për Shqipërinë. Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, vetëm në vitin 2024 u dhanë mbi 79 mijë leje qëndrimi për shtetas shqiptarë në vendet e BE-së, duke shënuar një rritje prej 5.5% krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2023 ishin rreth 75 mijë leje për herë të parë.

Në total, gjatë periudhës 2023-2024, shqiptarët morën 154 mijë leje të reja qëndrimi në BE. Ky ritëm i lartë është i lidhur kryesisht me kontratat e punës, sidomos në Gjermani, ku procedurat janë më të shpejta se në të shkuarën kur shumë të rinj hynin pa dokumente.

Që nga viti 2008, mbi 1 milion shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE-së. Kjo valë migrimi është ndër arsyet më të forta të rënies së ndjeshme të popullsisë. Sipas Censusit të fundit të INSTAT, Shqipëria ka humbur 420 mijë banorë krahasuar me vitin 2011, duke e ulur numrin total të popullsisë në vetëm 2.4 milionë.

Vetëm gjatë viteve 2011-2024, rreth 743 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në BE. Shifrat konfirmojnë boshatisjen e vendit nga të rinjtë dhe fuqia punëtore, duke sjellë pasoja të rënda për tregun vendas.

Nga ana tjetër, të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2024, BE-ja lëshoi gjithsej 3.5 milionë leje qëndrimi për shtetas jashtë unionit, një rënie prej 8.3% krahasuar me vitin 2023. Punësimi ishte arsyeja kryesore, duke zënë 31.9% të lejeve, ndërsa bashkimi familjar përfaqësonte 27.1%.

Ukrainasit morën numrin më të lartë të lejeve në BE vitin e kaluar (295 600), të ndjekur nga India dhe Maroku. Shqipëria u rendit në vendin e 11, duke treguar qartë shkallën dramatike të largimit të qytetarëve të saj drejt emigracionit.

Ndaj Postimin: