Elon Musk zyrtarizon krijimin e “Partisë Amerika” në SHBA, duke synuar t’u japë qytetarëve kontroll mbi politikën dhe lirinë e munguar.
Elon Musk, një nga figurat më të fuqishme në botë, ka konfirmuar themelimin e një force të re politike në Shtetet e Bashkuara, të quajtur “Partia Amerika”. Përmes një njoftimi në platformën e tij X, ai deklaroi se synimi kryesor është të sfidojë duopolin tradicional të partive Demokratike dhe Republikane.
Nisma e Musk erdhi menjëherë pas një sondazhi të zhvilluar në X, ku pyeti ndjekësit nëse Amerika kishte nevojë për një alternativë të re politike. Mbi 65% e më shumë se 1.2 milionë pjesëmarrësve u përgjigjën pozitivisht, duke i dhënë dritën jeshile për të hedhur hapin e madh.
“Me një diferencë të qartë, shumica kërkoni një alternativë të re politike. Prandaj, sot zyrtarisht themelohet Partia Amerika për t’jua rikthyer lirinë”, shkroi Musk në postimin e tij.
Ky veprim vjen në një moment tensioni të theksuar në politikën amerikane, veçanërisht pas përplasjes së tij të fundit me Donald Trump. Miliarderi kritikoi ashpër një ligj të ri për uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve, të cilin Trump e nënshkroi. Sipas Musk, ky ligj përbën kërcënim serioz për ekonominë dhe lirinë fiskale të qytetarëve.
Edhe pse më parë ka mbështetur publikisht Trumpin dhe ka financuar fushatën e tij për rizgjedhje, Musk është distancuar prej tij pas këtyre zhvillimeve. Ai ka paralajmëruar se do të përdorë financimet e tij për të ndikuar kundër atyre që mbështesin ligje që, sipas tij, cenojnë të drejtat e qytetarëve dhe fuqinë e individit përballë shtetit.
Themelimi i “Partisë Amerika” sinjalizon një përpjekje serioze për të ndryshuar ekuilibrat e deritanishëm në politikën amerikane. Musk synon të krijojë një model të ri politik, të mbështetur në teknologji, transparencë dhe vendimmarrje direkte përmes platformave digjitale.
Kjo lëvizje pritet të trazojë jo vetëm dinamikat brenda SHBA-së, por edhe diskursin ndërkombëtar për rolin e figurave të fuqishme në jetën politike. Musk e ka bërë të qartë se synon të ndërtojë një politikë që fillon nga njerëzit dhe përfundon me njerëzit.