Mbi 700 shkolla në Greqi pritet të mbyllen për vitin shkollor 2025-2026, duke thelluar alarmet për rënien drastike të lindshmërisë dhe emigrimin masiv.
Një postim i fundit i Elon Musk ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik grek, pasi ai ndau një lajm tronditës mbi krizën demografike në vendin fqinj. Musk ribotoi një material nga faqja Visegrad24, e cila citoi një artikull të Financial Times mbi mbylljen e qindra shkollave për shkak të mungesës së fëmijëve.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë vitit shkollor 2025-2026 do të mbyllen 721 shkolla në Greqi, pasi nuk arritën pragun minimal prej 15 nxënësish të kërkuar për të vijuar mësimin. Kjo situatë është pasojë direkte e rënies së ndjeshme të lindshmërisë dhe emigrimit të vazhdueshëm të të rinjve.
Greqia renditet ndër vendet me normën më të ulët të fertilitetit në Bashkimin Europian, me vetëm 1.3 lindje për grua. Popullsia po plaket me ritme të shpejta, ndërsa mungesa e politikave efektive për të përballuar këtë krizë po e thellon problemin.
Mbyllja e shkollave jo vetëm që prek sistemin arsimor, por edhe rrezikon të shkretojë komunitete të tëra në zonat rurale dhe ishuj, ku numri i fëmijëve është gjithnjë e më i kufizuar. Për shumë fshatra, kjo do të thotë humbje e një prej institucioneve bazë të jetës shoqërore.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente për nxitjen e lindshmërisë dhe kthimin e emigrantëve, Greqia do të përballet me pasoja afatgjata ekonomike e shoqërore, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të fuqisë së saj punëtore.
Debati i ndezur nga postimi i Musk pritet të shtojë presionin mbi qeverinë greke për të ndërmarrë reforma konkrete dhe politika mbështetëse për familjet e reja, në mënyrë që të frenohet ky trend shqetësues demografik.