Procesi zgjedhor brenda Partisë Demokratike në degën e Shkodrës është pezulluar përkohësisht, ndërsa Eljona Shkreli është komanduar si kryetare e kësaj force politike në qarkun verior.
Në fjalën e saj pas këtij vendimi, Shkreli e cilësoi veten të privilegjuar për marrjen e kësaj detyre dhe përcolli mesazhin e bashkimit të demokratëve me synimin e përbashkët për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Janë ndezur motorët për fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Dua të falënderoj kryesinë e Partisë Demokratike për besimin që më dha me komandimin tim në krye të PD Shkodër. Ky është një vlerësim që do të ndjehej secili anëtar i kryesisë dhe çdo demokrat i angazhuar. Unë ndihem e privilegjuar dhe shumë e nderuar nga ky besim. Për mua, dega e PD Shkodër nuk është vetëm kryetari, por gjithë kryesia, grupseksionet dhe çdo anëtar i përkushtuar demokrat,” tha ajo.
Shkreli u ndal më pas te sfidat politike të qarkut, duke vënë theksin te domosdoshmëria e bashkimit të brendshëm dhe vendosmëria për të përballuar pushtetin aktual. Ajo deklaroi se përparësia absolute mbetet largimi i qeverisë Rama, duke synuar gjithashtu ndryshimin e drejtimit në Shkodër.
“Sfida jonë kryesore është bashkimi i të gjithë demokratëve. Ne kemi një qëllim të përbashkët: largimin e kësaj qeverie. Në Shkodër, përqendrimi ynë është tek eliminimi i ndikimit të Benet Becit dhe njerëzve të tij të emëruar nga Rilindja, të cilët kanë uzurpuar pushtetin me presione dhe manipulime zgjedhore. Kjo situatë nuk do të përsëritet. Do të punojmë me përkushtim të përditshëm, me një angazhim të palëkundur dhe të bashkuar për të luftuar ndikimin e Rilindjes,” theksoi ajo.
E bindur në fitoren e opozitës, Shkreli shprehu optimizmin e saj për një rezultat të thellë fitues që do të nisë pikërisht nga bastioni demokrat i Shkodrës. “Fitorja jonë do të fillojë këtu dhe jam e sigurt se do të jetë një fitore e thellë,” përfundoi ajo.
Ky emërim vjen në një moment kyç për Partinë Demokratike, e cila po përgatitet për një përballje të ashpër elektorale në një terren të vështirë politik.