Këshilltarët bashkiakë kërkojnë shpjegime pas zjarrit dhe mungesës së funksionimit të inceneratorit në landfillin e Elbasanit
Zjarri që dogji për disa ditë landfillin e Elbasanit në fillim të korrikut ka nxjerrë në pah krizën e thellë të menaxhimit të mbetjeve në qytet. Në një mbledhje të posaçme, këshilltarët bashkiakë të opozitës kërkuan një interpelancë me drejtuesit e kompanisë ECO ELB, përgjegjëse për mbledhjen dhe menaxhimin e mbetjeve, duke kërkuar sqarime për shkakun e zjarrit dhe mosfunksionimin e inceneratorit, që prej kohësh ndodhet jashtë përdorimit dhe nën hetim.
Administratori i kompanisë, Leli Kaja, u shpreh se situata në landfill është alarmante dhe kapacitetet janë tejkaluar, duke theksuar se zjarri sipas tyre ka ardhur si pasojë e kushteve natyrore, por hetimet janë në dorë të institucioneve ligjzbatuese për të përcaktuar shkaqet e plota. Ai shtoi se është përpjekur me anë të shkresave të shumta të kërkojë ndihmë nga institucionet qendrore dhe ministritë, por ende nuk ka marrë zgjidhje efektive.
Kaja kritikoi edhe mungesën e bashkëpunimit në nivel lokal, duke vënë në dukje se as këshilli bashkiak i majtë dhe as ai i djathtë nuk kanë arritur të bashkohen për të ofruar një plan të qëndrueshëm. Ai nënvizoi nevojën për përgjegjësi të përbashkët, pasi situata kërkon veprime urgjente.
Për herë të parë, këshilltarët nga të dy krahët politikë dolën me një qëndrim të përbashkët, duke kërkuar masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës mjedisore në Elbasan. Ata theksuan se ndërsa hetimi mbi inceneratorin vazhdon, është e domosdoshme të gjendet një alternativë për trajtimin e mbetjeve, për të mos lejuar që qyteti të shndërrohet në kosh mbeturinash.
Deklarata e përbashkët e këshilltarëve nënvizon se situata në landfill po përkeqësohet dhe kërkon vëmendje të menjëhershme për të mbrojtur shëndetin dhe ambientin në Elbasan. Ata kërkojnë që të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe për të shmangur një katastrofë të mundshme mjedisore në të ardhmen.