Elbasan, goditet aktiviteti i paligjshëm i përpunimit të mbetjeve: 16 arrestime dhe masa milionëshe ndaj dy subjekteve

Policia e Elbasanit ka zhvilluar operacionin “Metalurgjiku”, i cili është ndjekur prej muajsh me metoda speciale hetimi për të identifikuar veprimtaritë kriminale kundër mjedisit në zonën e ish-Metalurgjikut. Dy kompani që merreshin me përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit janë proceduar penalisht për ndotje, ndërsa 16 persona u arrestuan dhe tetë të tjerë u shpallën në kërkim.

Të ndaluarit përfshijnë administratorë, drejtorë prodhimi, inxhinierë teknikë dhe punëtorë, mes të cilëve edhe shtetas nga Koreja, India dhe Nepali. Shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan u arrestua për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Aksionerët e kompanive, të shpallur në kërkim, akuzohen për ndotje të mjedisit, fshehje të ardhurash, punësim të paligjshëm dhe pastrim parash në bashkëpunim.

Hetimet e kryera me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit zbuluan shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor dhe të rregullave për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Si masë administrative, kompanive iu vendosën gjoba prej 3 dhe 10 milionë lekësh dhe u pezullua aktiviteti deri në respektimin e detyrimeve ligjore. Nga kontrollet u sekuestruan celularë dhe DVR, ndërsa çështja i është kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

Ndaj Postimin: