Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi.
Ndaj vëllezërve Duka rëndojnë akuzat “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 7559 të vitit 2024, rezultoi përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Shkëlqim Duka, në bashkëpunim me vëllanë e tij Florian Duka, kanë kryer vrasjen me paramendim ndaj viktimës Eduart Reçi.
Nga hetimi rezultoi se viktima, Eduart Reçi, ndër vite ka ndërtuar në Tiranë dy pallate dhe një vilë, dhe të gjitha njësitë e banimit, garazhet, njësitë tregtare, vilat etj., i ka dhënë me qira tek persona të ndryshëm. Ndër personat me të cilët viktima kishte mosmarrëveshje për çështje pronësie ishin vëllezërit Duka, pronarë të një lokali që kufizohej me lokalin në pronësi të viktimës, pasi një pjesë e lokalit të të pandehurve ishte ndërtuar në tokën e viktimës.
Nga vlerësimi në tërësi i provave dhe indicieve të administruara, të cilat janë të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, krijohet bindja përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Shkëlqim Duka, në bashkëpunim me vëllanë e tij Florian Duka, është autori në rolin e ekzekutorit të tentativës së vrasjes së shtetasit Eduart Reçi në datën 08.11.2024 dhe më pas i vrasjes së tij më 13.11.2024, të kryer me paramendim, si dhe i mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta në bashkëpunim.
Shkëlqim Duka e ka kryer vrasjen e shtetasit Eduart Reçi me paramendim, për interes pasuror, duke marrë vendimin me qetësi së bashku me vëllanë e tij dhe duke përgatitur planin kriminal. Ai ka parashikuar të gjitha rrethanat që lidhen me: përgatitjen për të patur saktësi në ekzekutim duke bërë qitje në poligon, sigurimin e armës dhe dylbive për ta kryer vrasjen natën dhe në distancë, zgjedhjen e vendit të krimit për të mos u ekspozuar, nxjerrjen në pritë të viktimës duke hedhur fishekzjarë në oborrin e lokalit të tij, kryerjen e krimit në fshehtësi dhe marrjen e masave për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Për realizimin e vrasjes, krahas sigurimit të armës, të hetuarit kanë studiuar me imtësi kohën dhe vendin ku do të kryenin krimin, me qëllim që të mos diktoheshin dhe të shmangnin përgjegjësinë. Sipas planit të detajuar, ata vendosën që vrasja të kryhej natën, për të mos u identifikuar nga kamerat ose nga persona të tjerë. Duke ditur se viktima në mbrëmje dilte për të pastruar oborrin, vrasja u planifikua të kryhej në distancë, nga një pozicion me pamje të qartë drejt oborrit të lokalit të viktimës.
Shkëlqim Duka dhe Florian Duka nuk kishin marrëdhënie të mira me Eduart Reçin, pasi ata prej vitesh kishin ndërtuar një lokal pa leje dhe kishin zaptuar një pjesë të sipërfaqes së tokës në pronësi të viktimës. Megjithëse viktima u kishte kërkuar disa herë ta zgjidhnin çështjen në mënyrë vullnetare, ai kishte hezituar të shkonte në gjykatë për shkak të pozicionit të Shkëlqim Dukës si oficer policie.
Viktima u kishte propozuar ndërtimin e një pallati, por të pandehurit e kuptuan se, në rast se ndërtohej ky pallat, ai do të kërkonte sipërfaqen e tij takuese dhe ata do të humbnin pjesën e tokës së zaptuar. Për të shmangur humbjen e interesave pasurore, ata vendosën të kryenin vrasjen e Eduart Reçit.


