Ekstradohet nga Belgjika në Tiranë Mario Çela, vëllai i Suel Çelës

Mario Çela, i arrestuar në nëntor të vitit 2024 nga autoritetet belge, pritet të ekstradohet sonte drejt Tiranës. Ai është vëllai i Suel Çelës, i cili vijon të jetë person i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Suel Çela është identifikuar si drejtues i një organizate kriminale, e cila dyshohet se ka qenë përgjegjëse për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë vrasje, trafikim ndërkombëtar të drogës, veprime korruptive dhe skema të pastrimit të parave.

SPAK ka bërë me dije se disa nga anëtarët me role kyçe në këtë strukturë kanë qenë të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se organizata ka tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, në dhjetor 2020 është tentuar trafikimi i rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Evropës, ndërsa në janar 2021 është tentuar trafikimi i 466 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Holandës.

Me mbërritjen në Shqipëri, Mario Çela pritet të përballet me procedurat ligjore për akuzat që rëndojnë ndaj tij në kuadër të këtij hetimi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033