Eksportet nisin vitin me rënie – Janari thellon trendin negativ katërvjeçar

Eksportet e mallrave vijojnë të qëndrojnë në territor negativ, duke e nisur edhe vitin 2026 me tkurrje. Sipas INSTAT, në janar 2026 eksportet arritën në 26,7 miliardë lekë, me rënie 4,5% krahasuar me janarin e një viti më parë dhe 0,3% më pak se në dhjetor 2025.

Në rënien vjetore prej 4,5% ndikuan negativisht grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,4 pikë përqindje. Ndikim pozitiv dhanë “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,4 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me +0,1 pikë përqindje.

Prej të paktën tre vitesh eksportet nuk po rikuperohen. Në vitin 2025 ato arritën 346 miliardë lekë, me rënie 6,1%. Në 2024 kishin rënë me 16,2% dhe në 2023 me 9,5%. Të dhënat historike tregojnë një ecuri të paqëndrueshme gjatë dekadës së fundit: rënie në 2015, 2016, 2019, 2020, 2023, 2024 dhe 2025, ndërsa rritje vetëm në 2017–2018 dhe 2021–2022, kur u shënua rikuperimi pas pandemisë.

Ndërkohë, INSTAT ka publikuar një format të ri për tregtinë e jashtme, ku nuk paraqitet më ecuria e eksporteve dhe importeve sipas grupmallrave. Këto të dhëna nuk janë shtuar as në databazën zyrtare, ku informacioni i fundit i disponueshëm është ai për dhjetorin 2025.

Edhe importet shënuan tkurrje. Në janar 2026 ato arritën 57,9 miliardë lekë, me rënie 4,0% krahasuar me një vit më parë dhe 27,5% më pak se në dhjetor 2025. Në rënien vjetore ndikuan negativisht “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -2,0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -1,5 pikë përqindje. Ndikim pozitiv dha grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,1 pikë përqindje.

Deficiti tregtar për janarin ishte 31,1 miliardë lekë, me ulje 3,6% krahasuar me janarin 2025 dhe 41,3% krahasuar me dhjetorin 2025.

Sa i përket partnerëve tregtarë, ulja më e madhe e eksporteve u regjistrua me Italinë (3,6%) dhe Kosovën (2,0%), ndërsa rritje u shënuan me Gjermaninë (30,2%) dhe Greqinë (31,8%). Në importe, rënia më e madhe ishte me Italinë (10,3%) dhe Greqinë (3,3%), ndërsa rritje pati me Kinën (1,8%) dhe Turqinë (13,5%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së përbëjnë 55,4% të totalit. Në janar 2026, 74,1% e eksporteve u drejtuan drejt BE-së, ndërsa 46,8% e importeve erdhën nga vendet e unionit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033