Fermerët rroskovecas korrin sezon të artë, duke mbushur 870 kamionë përime që plotësojnë standardet e rrepta të tregut europian këtë verë.
Rroskoveci po përjeton bum prodhimi. Sipërfaqet e mbjella janë zgjeruar ndjeshëm dhe çdo ditë parcela të gjelbra mbushen me domate, tranguj, speca e bostanore.
Familja Agaçi në fshatin Suk kryeson valën e eksporteve. Deri më tani, 870 kamionë me ngarkesa të freskëta kanë kaluar doganat drejt klientëve europianë, ku domatja mban peshën kryesore.
“Prodhimi është i bollshëm dhe mbi të gjitha brenda standardeve që kërkojnë blerësit në BE,” thekson fermeri Genci Agaçi. Ai shton se puna e pandalshme dhe teknikat moderne po ua shpërblejnë mundin.
Përtej vjeljes në fusha, fermerët kanë nisur fazën e pastrimit të tokës në sera. Qëllimi është dezinfektimi, heqja e kripërave dhe asgjësimi i insekteve përmes mbulimit me plastikë dhe ujitjes së bollshme.
“Kjo metodë ul nevojën për pesticide dhe na garanton rendiment të lartë,” sqaron Agaçi, ndërsa punëtorët përgatisin shtretërit ku do të mbillen farat e reja.
Me 525 hektarë prodhime të fushës dhe 162 hektarë sera, Rroskoveci renditet i dyti pas Divjakës në qarkun e Fierit për prodhimin e perimeve dhe bostanoreve, duke e kthyer zonën në një motor të fuqishëm ekonomik për rajonin.