Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka shkaktuar debate politike dhe institucionale, por sipas juristëve dhe ekspertëve, ai është plotësisht në përputhje me ligjin dhe praktikat kushtetuese.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi pezullimin një “akt brutal ndërhyrjeje në pushtetin ekzekutiv” dhe deklaroi se do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese, duke e quajtur “rast unikal në historinë evropiane”. Megjithatë, sipas një analize të publikuar nga BIRN, juristë dhe politologë e konsiderojnë vendimin të ligjshëm dhe të bazuar në standardet e drejtësisë moderne.
Vendimi i GJKKO-së erdhi pasi ndaj Ballukut rëndojnë akuza për shkelje të barazisë në tendera në të paktën dy raste të veprave penale që parashikojnë deri në pesë vjet burg. Vendimi i detyron asaj ndërprerjen e ushtrimit të funksioneve zyrtare deri në përfundim të hetimeve.
Juristi Jordan Daci e konsideron ankimimin e qeverisë si një veprim të ligjshëm, por thekson se vendimi i gjykatës “kalon testin kushtetues”. Ai kujton precedentë të mëparshëm, si rasti i Sali Berishës, ku Gjykata Kushtetuese lejoi masat kufizuese ndaj një deputeti, duke krijuar bazë për masa të ngjashme ndaj anëtarëve të ekzekutivit. “Nëse këto masa janë të lejuara për deputetët, nuk ka arsye pse të mos zbatohen për ministrat”, argumenton Daci, duke shtuar se kjo praktikë mund të hapë diskutime mbi ekuilibrin midis pushteteve.
Avokati Gentian Serjani e mbështet vendimin e GJKKO-së, duke e lidhur me nenin 135 të Kushtetutës dhe nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale. Ai thekson se Balluku nuk është e zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, por e emëruar nga kryeministri, ndaj “nuk mund të mbrohet me të njëjtin status juridik si një deputet apo kryetar bashkie”. Sipas tij, Rama ka pasur mundësinë të caktonte një zëvendësues të përkohshëm “duke respektuar vendimin e drejtësisë që vetë qeveria e tij e promovon si arritje”.
Eksperti i politikave Afrim Krasniqi e konsideron reagimin e kryeministrit si “antidemokratik dhe me pasoja për shtetin e së drejtës”. Ai kujton se në shumë vende të Europës, zyrtarë të lartë janë pezulluar ose kanë dhënë dorëheqje për shkak të hetimeve për korrupsion. “Refuzimi për të zbatuar vendime gjyqësore dhe përdorimi i shtetit për të mbrojtur zyrtarët e akuzuar dëmton demokracinë dhe vendos qeverinë në pozita jokushtetuese,” shkruan Krasniqi.
Nga ana tjetër, ish-zëvendësministrja Irena Beqiraj ironizoi deklaratat e Ramës, duke e cilësuar situatën si “rast unikal vetëm sepse një ministër dhe zëvendëskryeministër akuzohet dy herë për të njëjtën vepër penale pa dhënë dorëheqje”.
Serjani përmbyll se reforma në drejtësi u krijua pikërisht për të shmangur “zyrtarët e paprekshëm” dhe se vendime të tilla janë në përputhje me frymën e saj. “Nëse duam drejtësi të pavarur, duhet të pranojmë edhe kur ajo prek pushtetin,” tha ai për BIRN.


