Ekskluzive / Balluku, udhëtim sekret në SHBA, kërkon mbrojtje ekstraligjore përballë akuzave të SPAK

Përballë dosjes së SPAK për korrupsionin me miliona euro në tunelin e Llogarasë, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku publikisht është shfaqur e qetë, duke marrë pjesë në aktivitete brenda dhe jashtë vendit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Publikisht ajo ka shmangur komentet në lidhje me hetimet dhe akuzat e ngritura nga SPAK, ndërsa nën rrogoz po lëviz të gjithë gurët në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, për të siguruar mbështetje politike dhe ekstraligjore.

Mësohet se, në kohën kur në Kuvend vartësit e saj prezantonin projektbuxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës për vitin e ardhshëm, Belinda Balluku ka qenë e angazhuar me një agjendë personale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas burimeve, ajo ka udhëtuar drejt SHBA-së të enjten e javës së kaluar dhe është rikthyer në Tiranë ditën e diel.

Për këtë udhëtim nuk ka asnjë komunikim zyrtar, por jozyrtarisht konfirmohet se Balluku është përpjekur të sigurojë mbështetje në administratën amerikane përballë akuzave për korrupsion në Shqipëri.

Udhëtimi i saj drejt SHBA-së ngjan me atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në dhjetor 2024, i cili po ashtu u përpoq të siguronte mbështetje në SHBA për t’i shpëtuar akuzave të SPAK.

Sa të suksesshme mund të jenë këto përpjekje, mbetet për t’u parë, por udhëtimi i Ballukut në këtë periudhë tregon se problemet e saj shkojnë përtej drejtësisë shqiptare.

Ndaj Postimin: