Egnatia përballet me Breidablik në turin e parë të Champions League

Egnatia e Rrogozhinës do të ndeshet me kampionët e Islandës, Breidablik, në turin e parë kualifikues të Champions League, sipas shortit të hedhur në Nyon.

Fati ka qenë në anën e Egnatias në shortin e ditës së sotme të UEFA Champions League, ku kampionët në fuqi të Shqipërisë do të përballen me skuadrën islandeze Breidablik në turin e parë të këtij kompeticioni elitar evropian.

Shorti u hodh në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës dhe vuri përballë dy skuadra me histori të ndryshme në arenën ndërkombëtare, por me ambicie të ngjashme për të kaluar fazën e parë të kualifikimeve.

Ndeshja e parë do të luhet më 9 korrik, ndërsa sfida e kthimit është planifikuar për 16 korrik. Egnatia synon të përfitojë nga avantazhi i përgatitjeve intensive dhe formës së mirë në kampionat për të siguruar një kualifikim historik.

Kjo do të jetë hera e parë që Egnatia përfaqëson Shqipërinë në një kompeticion të tillë, dhe shorti i favorshëm me një skuadër jo nga më të fortat e kontinentit, i rrit ndjeshëm shpresat për sukses.

Ndërkohë, Drita e Kosovës do të ketë një përballje më të vështirë me kampionët e Luksemburgut, Differdange. Ndeshjet e këtij çifti do të luhen në të njëjtat data si ato të Egnatias, përkatësisht më 8 ose 9 korrik dhe më 15 ose 16 korrik.

Egnatia e trajnerit Edlir Tetova shpreson që përvoja në garat ndërkombëtare të fillojë me një hap të sigurt, ndërsa tifozët rrogozhinas kanë nisur përgatitjet për të mbështetur ekipin në këtë sfidë historike për klubin dhe qytetin e tyre.

Ndaj Postimin: