“Jam i shokuar me rezultatin e 11 Majit”, Edmond Spaho: Këto zgjedhje ishin të fundit të karrierës sime
Një nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka njoftuar se do të tërhiqet nga politika aktive pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 Majit. Spaho, i njohur për ndikimin e tij të fortë në Qarkun e Korçës, ka bërë publike vendimin e tij për t’u larguar nga jeta politike, pasi nuk ka arritur të sigurojë një mandat deputeti. PD, në këto zgjedhje, ka mundur të sigurojë vetëm 4 deputetë nga lista e mbyllur, duke lënë Spahon jashtë.
Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Spaho ka shpërndarë ndjesitë e tij pas humbjes dhe ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij. Ai ka theksuar se kjo ka qenë e fundit e angazhimit të tij politik në Parlament, pas 35 vitesh shërbimi.
“Jam i shokuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit! Këto zgjedhje ishin të fundit të karrierës sime aktive në Parlament”, shkruan Spaho në postimin e tij. Ai më tej shpreh falënderime të thella për familjen e tij, që ka sakrifikuar shumë për ta mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve.
“Falënderoj pafundësisht familjen time për sakrificat e mëdha që ka bërë gjatë 35 viteve për të më krijuar mundësinë të ndiqja pasionin tim,” shton Spaho, duke shprehur vlerësimin për mbështetje të vazhdueshme.
Ai gjithashtu falenderon anëtarët dhe simpatizantët e Degës së PD Maliq dhe të Qarkut Korçë, të cilët e kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës së tij politike. Pa këtë mbështetje, Spaho pranon se nuk do të kishte arritur asgjë në politikë.
Në fund, Spaho i shpreh mirënjohjen qytetarëve që e votuan gjatë këtyre 35 viteve. Ai kërkon falje për ato që nuk arriti t’i realizojë gjatë periudhës së tij në politikë. “I uroj Partisë Demokratike të gjejë forcën për të kaluar gjendjen e rëndë ku ndodhet dhe të arrijë të rikthehet në shpresë për Shqipërinë”, shkruan Spaho, duke i dhënë një mesazh të fortë për të ardhmen e partisë.
Me shumë mirënjohje, Edmond Spaho.