Kryeministri Edi Rama është nderuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, me medaljen më të lartë shtetërore të këtij vendi, e cila mban emrin e themeluesit të Emirateve, Sheikh Zayed.
Akordimi i këtij dekorimi përbën nivelin më të lartë të vlerësimit që Emiratet e Bashkuara Arabe i japin një kryeministri shqiptar dhe shënon një akt simbolik respekti ndaj marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në reagimin e tij, kryeministri Rama e cilësoi këtë dekoratë si një nder të jashtëzakonshëm, të cilin e pranoi me përulësi dhe krenari në emër të Shqipërisë. Ai shprehu mirënjohje ndaj Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, duke e vlerësuar si një mik të rëndësishëm të shqiptarëve, si edhe falënderim ndaj qytetarëve shqiptarë për besimin në përfaqësimin e vendit.