Edi Rama: Mbyllja e TikTok dhe Snapchat nuk zgjidh problemet, por kufizon hapësirat që nxisin dhunën

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me prindërit dhe stafin e shkollës “Sami Frashëri”, ku ka diskutuar për idenë e mbylljes së platformave TikTok dhe Snapchat si një masë për të frenuar fenomenin e dhunës tek të miturit.

Takimi u mbajt në kuadër të konsultimeve publike mbi forcimin e bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve për t’u përballur me këtë sfidë sociale.

Rama e ka pranuar se mbyllja e këtyre dy aplikacioneve nuk përbën një zgjidhje përfundimtare për problemet që prekin të rinjtë, por mund të shërbejë si një masë për të kufizuar hapësirat që frymëzojnë dhunën, bullizmin dhe sjelljet e papërshtatshme në përgjithësi.

“Ky problem është shumë më i gjerë sesa çfarë ndodh brenda mureve të shkollës. Nuk është diçka që e kemi plotësisht në dorë dhe nuk ka një ‘ilaç’ të menjëhershëm për ta zgjidhur,” u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se diskutimi për mbylljen e TikTok dhe Snapchat nuk është i ri. “Këto dy platforma janë problematike për arsye specifike. Nuk është bardhë e zi. Mbyllja e tyre nuk është zgjidhja e problemeve, por mund të ndihmojë në ngushtimin e hapësirave që stimulojnë dhunën dhe sjelljet negative,” deklaroi Rama.

Përmes një qasjeje të hapur, ai u kërkoi prindërve dhe mësuesve të ndajnë mendimet dhe sugjerimet e tyre mbi këtë çështje. “E rëndësishme është të dëgjojmë njëri-tjetrin. Çdo prind dhe mësues ka këndvështrimin e tij, sidomos ata që janë edhe prindër edhe mësues dhe mund ta shohin problemin nga të dyja anët,” tha ai.

Rama theksoi se, pavarësisht përmasave të problemit, fokusi kryesor mbetet mirëqenia e fëmijëve. Ai e quajti këtë temë si prioritet absolut për qeverinë dhe shoqërinë në tërësi.

Në fund të takimit, kryeministri falënderoi të pranishmit për durimin dhe përfshirjen në këtë debat të rëndësishëm. “Fëmijët janë arsyeja pse të gjithë ne duhet të përpiqemi për zgjidhje të përbashkëta dhe efektive,” përfundoi Rama.

Ky debat publik rreth mbylljes së TikTok dhe Snapchat është vetëm një pjesë e përpjekjeve më të gjera për të adresuar fenomenin e dhunës dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt për të rinjtë shqiptarë.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera