Alarmi për sigurinë ushqimore është dhënë nga autoritetet europiane, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se ka bllokuar dhe tërhequr nga tregu disa produkte të formulës për fëmijë, pas një sinjalizimi të ardhur nga Sistemi Evropian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF).
Sipas njoftimit zyrtar, Shqipëria është informuar se, pas kontrolleve të kryera nga autoritetet italiane, është konstatuar prania e substancës Cereulide në formulën për fëmijë me origjinë nga Holanda, e cila përbën një rrezik potencial për shëndetin e njeriut, veçanërisht për foshnjat.
Produktet e identifikuara janë: BEBA PRE 800 g (lotet 51250346AA, 51720346AA, 51660346AC), BEBA 1 800 g (lotet 51180346AB, 51450346AA, 51660346AB), BEBA SUPREME PRE 800 g (lot 51720742F3) dhe BEBA SUPREME 2 800 g (lotet 51550742F1 dhe 51550742F2), me skadenca nga 04.2027 deri në 06.2027.
AKU bën me dije se sasia e produktit është bllokuar dhe do të asgjësohet, ndërsa u bën thirrje prindërve që ta kthejnë menjëherë produktin në pikat e shitjes dhe të shmangin përdorimin e tij.