Shoqëria publike e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, “Eco-Elb”, rezulton me mbi 2.7 milionë euro detyrime të papaguara ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Sipas një dokumenti financiar, kompania ka për të shlyer 268.816.320 lekë të reja, ku përfshihen detyrime për energjinë elektrike dhe kamatë-vonesa.
“Eco-Elb” menaxhon landfillin dhe inceneratorin e Elbasanit që prej vitit 2022, pas përfundimit të kontratës koncesionare me “Albtek Energy”. Kontrata e kësaj të fundit përfundoi në dhjetor 2021, ndërsa impianti i trajtimit të mbetjeve me rikuperim energjie nuk ka prodhuar asnjë kilovat/orë.
Megjithatë, në faturën e OSHEE-së, detyrimet rezultojnë të faturuara në emër të “Albtek Energy”, kompani që përfundoi kontratën në vitin 2021. Pjesa më e madhe e energjisë së konsumuar dhe të papaguar i përket periudhës gusht 2022 – dhjetor 2023, kohë gjatë së cilës landfilli menaxhohej nga “Eco-Elb”.
Pas marrjes në dorëzim të impiantit nga Bashkia e Elbasanit, për administrimin u krijua kompania publike “Eco-Elb”, me aksionarë bashkitë e qarkut Elbasan. Administrator i saj është Leli Kaja.
Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak më 2 mars 2026, u diskutua rinovimi i kontratës njëvjeçare për depozitimin e mbetjeve urbane, me një tarifë prej 26 euro për ton.
Kryekëshilltarja e opozitës, Bianka Çopja, e cilësoi tarifën abuzive, duke theksuar se studimi fillestar i vitit 2014 parashikonte 2500 lekë për ton me incenerim dhe 1100 lekë pa incenerim. Sipas saj, aktualisht incenerimi nuk kryhet, ndërsa tarifa është 2600 lekë për ton.
Këshilli Bashkiak e shtyu për mbledhjen e radhës miratimin e kontratës së re me “Eco-Elb”.