Shpenzimet e universiteteve publike rikthehen sërish në qendër të vëmendjes, ndërsa Qëndresa Qytetare ekspozoi vlerën dhe numrin e përgjithshëm të kontratave, prokurimeve dhe tenderëve të institucioneve të arsimit të lartë.
Ekspozita pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës (UT) paraqiti panoramën institucionale si një “bunker transparence”, ku mungesa e llogaridhënies duket të jetë shndërruar në normë.
Të dhënat e analizuara nga Qëndresa Qytetare për vitin 2025 tregojnë një model keqmenaxhimi financiar.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kanë zbuluar qindra mijëra euro abuzime me prokurimet publike, ndërsa universitetet e rretheve shpenzojnë deri në 77% të buxhetit vetëm për paga e honorare, pa investime, pa laboratorë dhe pa kërkim shkencor.
Sipas drejtuesit të organizatës, Rigels Xhemollari, refuzimi i transparencës është bërë standard. Ai deklaroi se Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë nuk kanë pranuar të japin as kontratat e blerjeve të detergjenteve, duke i konsideruar ato “sekrete tregtare”.
“Më falni, si mund të jetë sekret tregtar detergjenti, montimi i dyerve apo ceremonia e diplomimit të studentëve. Pavarësisht se këtë çështje e kemi fituar edhe në gjykatë, këto universitete vijojnë të shmangin çdo mundësi për transparencë”, tha drejtuesi i Qëndresës Qytetare.
Xhemollari theksoi se kjo prirje vjen teksa këtë vit SPAK ka lëshuar 28 masa sigurie ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor, të përfshirë në nëntë procedura të dyshuara për abuzime me rreth 900 000 euro. Paralelisht, KLSH ka propozuar 35 masa disiplinore për dy universitete të tjera, si dhe për Akademinë e Shkencave.
Këto masa tregojnë edhe njëherë dinamikën dhe përmasën e korrupsionit në universitete.
“Sot shpresa e vetme është që institucionet e drejtësisë të thellohen në hetime dhe të vazhdojnë edhe me rastet e tjera që të kthehen sytë te universitetet, për të parë se si shkojnë këto shpenzime, ku shkojnë, a janë të prekshme apo kemi të bëjmë me tenderë të korruptuar”, tha Kolindo Vjerdha, aktivist i Qëndresës.
Në total, tetë universitetet publike shpenzuan këtë vit 103 milionë euro, por vetëm 4.2% e tyre shkoi për kërkim shkencor.
Shkodra dhe Korça arrijnë nivelin kritik: 77% e buxhetit u përdor vetëm për paga, duke reduktuar funksionin akademik në minimum.
Një tjetër kontradiktë lidhet me shpenzimet e sigurisë. UT pagoi 1.65 milionë euro për roje; Elbasani rreth 1 milion euro; ndërsa Politekniku 842 mijë euro. Për krahasim, Universiteti i Durrësit shpenzon katër herë më pak, pa asnjë ndryshim në nivelin e sigurisë në kampus.
“Universiteti është katandisur në një njësi që bën tenderë dhe paguan rroga, një lloj institucioni i vdekur që nuk bën ndonjë dallim të madh nga një bashki komunale e një qyteti dytësor në Shqipëri,” komentoi pedagogu Ervin Goci.
Sipas Qëndresës Qytetare, hendeku mes shpenzimeve dhe shërbimeve të ofruara për studentët është i dukshëm.
UPT deklaroi 70 mijë euro shpenzime vjetore për bojë printerësh. Kjo u cilësua si abuzive, përderisa studentët e Arkitekturës paguajnë 100-200 euro në muaj për printime jashtë institucionit.
Në disa fakultete raportohen blerje kompjuterësh, materialesh laboratorike dhe pajisjesh, të cilat, sipas Qëndresës Qytetare, studentët dhe pedagogët nuk i kanë parë kurrë.
Modelet e raportuara të shpenzimeve sugjerojnë mungesë planifikimi dhe dyshime të forta për tenderime klienteliste.
“Ndodhemi në një sistem arsimor që nuk i kthen minimalisht dinjitetin studentit. Problemi është: sa nga këto shpenzime kthehen mbrapsht tek studenti?”, komentoi Mateo Yskollari, aktivist i Qëndresës.
Pa transparencë dhe pa monitorim të brendshëm, universitetet rrezikojnë të kthehen në struktura që konsumojnë vetëm paga dhe kontrata, pa prodhuar dije, kërkim apo inovacion.
Qëndresa Qytetare kërkoi ribërjen e portalit “U-Transparenca”, rritjen e fondeve për kërkim shkencor dhe forcimin e auditimit të brendshëm.
Xhemollari theksoi se universitetet publike financohen nga taksat e qytetarëve dhe tarifat e studentëve, ndaj ato nuk mund të funksionojnë me kontrata sekrete, tenderë të dyshimtë dhe mungesë të plotë llogaridhënieje.
“Çështja nuk është vetëm financiare, por lidhet me cilësinë e dijes, besimin publik dhe të ardhmen e arsimit të lartë në vend,” përfundoi Xhemollari.


