Sezoni teatror në Teatrin “Bylis” të Fierit vijon me një tjetër premierë. Mbrëmjen e 24 shtatorit, në skenë u ngjit komedia “E zonja e bujtinës” e dramaturgut Carlo Goldoni, me regji të Kiço Londos, duke i dhuruar publikut fierak më shumë se dy orë humor, emocione dhe interpretime mbresëlënëse.
Një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë italiane erdhi përmes një loje skenike plot energji, ritëm dhe situata komike.
Aktorët e rinj shkëlqyen me interpretimin e tyre, duke mbajtur të mbërthyer vëmendjen e spektatorëve dhe duke sjellë me gjallëri personazhet dhe botën e Goldonit.
Kimia artistike mes Artemisa Kusit dhe Igli Fushës, së bashku me interpretimin e gjithë ansamblit të aktorëve, i dha shfaqjes një dinamikë të veçantë.
Në kastën e saj bëjnë pjesë Artemisa Kusi, Igli Fusha, Mateo Dervishaj, Anila Muçaj, Enisa Hysa, Irdon Methasani, Fjodor Xhydollari, Stelina Sulejmani dhe Shpëtim Terolli.
Nën regjinë e Kiço Londos, loja e marrëdhënieve, intrigave dhe keqkuptimeve mori jetë në skenën e teatrit “Bylis”, duke ndërthurur të qeshurën me reflektimin mbi natyrën njerëzore dhe marrëdhëniet shoqërore.
Kjo premierë është pjesë e kalendarit të sezonit të dytë teatror 2026 të Teatrit “Bylis”, që vijon të sjellë për artdashësit fierakë shfaqje dhe përvoja të reja artistike.
“E zonja e bujtinës” do të vijojë të shfaqet edhe dy net të tjera, më 25 dhe 26 shtator, në Teatrin “Bylis”.