E paprecedentë, qeveria i del në mbrojtje Bashkim Ulajt për resortin në Baks Rrjoll! Publikon shtesën e lejes për 1.5 milionë m2

Qeveria i ka dalë zyrtarisht në mbrojtje biznesmenit Bashkim Ulaj, për resortin që po tenton të ndërtojë në zonën e Baks Rrjollit, në afërsi të Velipojës. Në datën 1 shkurt 2026, Vox News publikoi ekskluzivisht dokumentet e lejes së ndërtimit, të cilat pasi “fjetën” për muaj e muaj me radhë, u firmosën nga ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku me shpejtësi.

Që prej asaj kohe, e deri në ditët apo orët e fundit, banorët e zonës nuk janë ndalur së protestuari, me të gjitha format, paqësore në zonë, përballë SPAK-ut në Tiranë apo edhe me kallëzime penale. Ata kanë fituar edhe një vendim gjykate, por sërish biznesmeni as do t’ia dijë, teksa krahas mbrojtjes policore, ka shtuar radhët edhe me polici private.

Ndërkohë, në gjithë këtë gjullurdi në zonë dhe jo vetëm, teksa edhe opozita përtace as e ka marrë mundimin për ta kundërshtuar apo për t’i dalë në krah banorëve, ja ku vjen një vendim i paprecedentë. Në një kohë që banorët po përleshen me ata që po i zaptojnë pronën, Kryeministria, nëpërmjet KKTU-së, ka publikuar në faqen e vet zyrtare një shtesë leje ndërtimi.

Një vendim kurajoz, nga kushdo që e ka marrë, pasi në këtë mënyrë minon të gjithë procesin dhe i hedh akoma më shumë benzinë zjarrit. Si mund të deklarojë KKTU-ja se firma ndërtuese ka lidhur marrëveshje me një individ? Çfarë tagri ka ky organ që të vendosë se kujt i takon prona? Përse nuk e publikon edhe vendimin e Gjykatës së Apelit?

Vox News ka vijuar të investigojë këtë aferë, e cila bie shumë erë dhe me një të rënë të lapsit, apo edhe me kulisa nga pas, po tjetërson një sipërfaqe të stërmadhe prone prej 1.5 milionë metra katrorësh. Kaq “luftë” sa po bëjnë forcat e policisë, s’e kanë bërë as për të mbrojtur institucionet kushtetuese, apo jetën e personave të pafajshëm.

Sipas dokumentit të mësipërm, në datën 15 janar 2026, KKTU-ja që varet direkt nga Kryeministria, ka publikuar një dokument, të emërtuar “leje ndërtimi”, pavarësisht se edhe më parë e kishte publikuar një të tillë. Bëhet fjalë për dokumentin me numër 360/1, që i jepet kompanisë “ABA BLUE BORGO”. Emërtimi është i njëjtë dhe bën fjalë për resortin në zonën e Baks Rrjollit, teksa shkruan se afati kohor i kësaj leje është 60 muaj.

Më pas publikon të dhëna për investimin, teksa shton se sipërfaqja e përgjithshme e truallit për zhvillim është 1.459.841,0 m². Sipas saj, do të bëhen disa struktura deri në 10 kate. Më pas jep detaje, që në të kaluarën as ka marrë guximin për t’i publikuar.

“Kontratë sipërmarrje, e datës 30 tetor 2024, lidhur mes pronarit Fatmir Shpellzaj dhe sipërmarrësit ‘Gener 2’ me objekt përcaktimin e kushteve për zhvillimin e pronës së porositësit prej 1.171.946 m2. Për zbatimin nga sipërmarrësi me shpenzimet e tij dhe në përputhje me planet urbanistike si dhe kushtet e bashkëpronësisë mes pronarit dhe sipërmarrësit”, thuhet në dokument.

Një mbrojtje tepër e dobët, aq më tepër në një situatë të tillë, ku institucioni që ka bërë proçkën mundohet që të justifikohet se ndërtuesi i ka letrat në rregull. Në të njëjtin dokument, të hulumtuar nga Vox News, detajohet se ka një tjetër kontratë sipërmarrje të datës 13 prill 2022, lidhur mes pronarit Xhevahir Mustafa, pronarit Naim Ahmetaj dhe sipërmarrësit “Gener 2”.

“Porositësi Xhevahir Mustafa deklaron se në bazë të kontratës së kalimit të drejtave të datës 15 korrik 2019, ka përfituar nga Fatmir Shpellzaj të drejtën e pronësisë të sipërfaqes prej 120.000 m2, të ndodhura në Baks-Rrjoll, Velipojë Shkodër. Gjithashtu Xhevahir Mustafa deklaron se transferon të drejtën e pronës së përfituar nga Fatmir Shpellzaj tek Naim Ahmetaj, duke disponuar kështu Xhevahir Mustafa 85.000 m2, Naim Ahmetaj 35.000 m2 tokë. Pronarët Xhevahir Mustafa dhe Naim Ahmetaj shprehin interesin e tyre për zhvillimin e pronës së përbashkët si dhe ta vendosin atë në dispozicion të sipërmarrësit Gener 2”, vijon dokumenti.

Ndërkohë, KKTU-ja shkruan se ka një kontratë mes shoqërisë “Gener 2” si palë poseduese e të drejtave dhe shoqëria “Aba Blue Borgo” shpk, e quajtur si pala përfituese e të drejtave.

KKTU-ja shkruan se për këtë leje ka marrëveshje mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, një vendim dhe VKM të qeverisë për “dhënien e statusit të veçantë kompanisë ‘Aba Blue Borgo’”. Ndërkohë, në të njëjtin dokument, Këshilli shkruan “të rrethohet zona ku ndërtohet dhe të mbahet pastër ambienti përreth”.

Në datën 1 shkurt 2026, Vox News publikoi një investigim me titull “Balluku i bën nderin e dytë të jetës Bashkim Ulajt, i firmos lejen e ndërtimit për resortin 1.460.549 m2 në Rrjoll”. Vox News ka mësuar se krerët e shtetit kanë ngurruar për muaj me radhë për të firmosur këtë leje gjigante, duke qenë se banorët e Baks Rrjoll kanë bërë padi në gjykatë dhe kallëzime në Prokurorinë e Posaçme për tjetërsime pronash.

Pas kësaj firme, Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka zbardhur me shpejtësi këtë leje ndërtimi, për objektin “resort turistik Blue Borgo me 33 struktura akomoduese dhe shërbimi me 3 dhe 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, 1 strukturë akomoduese tip hotel me 1 dhe 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, 3 struktura social-kulturore me 1 dhe 3 kate mbi tokë”, Bashkia Shkodër, me subjekt zhvillues “Aba Blue Borgo”.

“Në një kohë që opinioni publik mbushej me lajmet e seancave në Këshillin e Mandateve, në Gjykatën Kushtetuese apo edhe vendime të Prokurorisë së Posaçme, ministrja Belinda Balluku ka vepruar me shpejtësi dhe ka fituar kohë që të firmosë ‘nderin’ e dytë për Ulajn. Në datën 23 janar 2026, kompania e Ulajt regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit lejen e ndërtimit të zbardhur nga KKTU”, do të denonconte Vox News.

Sipas dokumentit që ka siguruar ekskluzivisht Vox News, shoqëria “ABA Blue Borgo” i kërkoi QKB-së kërkesë për hapje të adresës sekondare të ushtrimit të aktivitetit. Kërkesën e bëri administratorja Ledi Hysenaj, e cila kërkonte me ngulm që të hapej adresa në zonën e Baks Rrjoll, Bashkia Shkodër.

Administratorja kërkonte të regjistronte lejen e ndërtimit për resortin “Blue Borgo”, “sipas lejes së ndërtimit nr. 360/1 prot., datë 15.01.2026, të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit”.

Vox News ka mësuar se kompania që do të ndërtojë resortin është regjistruar disa vite më parë në QKB. Janë bërë disa transaksione mes biznesmenit Bashkim Ulaj, i cili ka marrë dhe ka shitur disa aksione te familjarë dhe njerëz të afërt të tij. Ka dyshime se transaksionet janë formale, ku në disa raste është edhe për të humbur gjurmët nga pronari fillestar.

Fillimisht, i besuari i tij Andri Kasneci e regjistroi kompaninë në emër të tij dhe pas nxjerrjes dhe kërkesave për leje në KKTU, aksionet i kanë kaluar më pas Bashkim Ulajt.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033