“E gjithë projekti europian nisi nga një kolegj”. Ursula von der Leyen në inagurimin e Kolegjit Europian.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shprehu sot një mesazh frymëzues, duke theksuar se studentët e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë janë liderët e ardhshëm të Europës.

Gjatë ceremonisë së hapjes së vitit akademik, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ajo tha se kjo ditë shënon një fillim të ri për të gjithë studentët – me miq të rinj, një qytet të ri dhe ëndrra të reja. Për të, Kolegji i Europës është më shumë se një universitet, është një burim frymëzimi dhe shprese për të ardhmen.

Von der Leyen kujtoi se pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore, një grup pionierësh europianë hodhën themelet e një vizioni të madh për të ndërtuar një akademi që do të formonte udhëheqësit e rinj të kontinentit. Kolegji i Europës ishte një nga gurët e parë në ndërtimin e integrimit europian, duke treguar rëndësinë e dijes dhe bashkëpunimit për të ardhmen.

Ajo gjithashtu përmendi se Europa po përgatitet për një zgjerim historik. Në këtë moment të rëndësishëm, Von der Leyen theksoi se familja europiane është drejt ribashkimit, duke përfshirë të gjithë popujt që jetojnë midis Detit të Zi dhe Adriatikut. Ky është një hap i madh drejt forcimit të lidhjeve brenda kontinentit.

Duke folur për ecurinë e negociatave për zgjerimin e BE-së, Von der Leyen shprehu optimizmin e saj se nëse vazhdohet me ritme të larta, të gjithë grup-kapitujt mund të hapen brenda vitit të ardhshëm. Ajo nënvizoi rëndësinë e punës së përbashkët për të arritur këtë qëllim ambicioz.

Në përfundim, ajo vlerësoi qytetin e Tiranës, duke theksuar se në këtë moment të rëndësishëm për Europën, Tirana mirëpret ngrohtësisht Kolegjin e Europës, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm për bashkëpunimin dhe zhvillimin europian.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera