Një 23-vjeçare e dënuar për vjedhje me dhunë është arrestuar në Serbi, pas rreth një viti në arrati, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
E arrestuara është shtetasja Rinesa Raçi, e cila ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2024 ishte dënuar nga Gjykata e Kukësit me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve dhe vendimit gjyqësor, në vitin 2021, në fshatin Dojan të Tropojës, Raçi, në bashkëpunim me shtetasin Visar Madani, i ka grabitur me dhunë një shtetaseje një telefon celular dhe një shumë parash në euro.
Arrestimi i saj u bë në territorin e Serbisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre serbe. Aktualisht, strukturat policore homologe po bashkëpunojnë për përfundimin e procedurave ligjore të ekstradimit të 23-vjeçares drejt Shqipërisë, ku ajo do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata.
Hetimet për këtë çështje konsiderohen të përfunduara, ndërsa autoritetet vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.


