E bleu tek supermarketi “Xhangolli”, kosi i frutave shkakton shqetësim tek një qytetare

Një qytetare ka denoncuar një rast shqetësues në lidhje me sigurinë ushqimore në një nga supermarketet më të njohura në Tiranë, “Xhangolli”, pranë SPAK-ut. Ajo tregon se ka blerë një kos frutash në këtë supermarket, i cili, pavarësisht se kishte ende një datë skadence të vlefshme, ka rezultuar i prishur.

Sipas denoncimit të qytetares, sapo ka hapur produktin, ka vënë re një erë të keqe dhe një strukturë të çuditshme të kosit, i cili “u var në lugë në mënyrë jo të zakonshme”. Ajo ka regjistruar një video ku tregohet qartë gjendja e produktit dhe e ka shpërndarë në rrjetet sociale, duke shkaktuar shqetësim për cilësinë e ushqimit që ofrohet për konsumatorët.

E shqetësuar nga situata dhe e frikësuar për ndikimin që mund të ketë ky produkt në shëndetin e konsumatorëve, qytetarja është kthyer menjëherë në supermarket për të kërkuar një përgjigje. Megjithatë, ajo ka përballuar një reagim të ftohtë dhe të paefektshëm nga ana e stafit të dyqanit.

Sipas qytetares, askush nga punonjësit nuk ka pranuar të thërrasë menaxherin, dhe përkundrazi, ajo është njoftuar me një përgjigje të papërgjegjshme: “Ashtu ka ardhur nga kompania.” Nuk ka pasur asnjë kërkesë ndjesë, asnjë zgjidhje për të kompensuar situatën, dhe asnjë shenjë reflektimi nga ana e stafit të supermarketit.

Ky incident ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me cilësinë e produkteve ushqimore që ofrohen në treg dhe për trajtimin e konsumatorëve nga ana e bizneseve. Në këtë rast, mungesa e reagimit të duhur nga supermarketet ka bërë që qytetarët të kërkojnë masa më të forta dhe mbikëqyrje më të rreptë për sigurinë ushqimore në vend.

Ndaj Postimin: