Dyshohet se dogjën dy automjete dhe një dyqan në Vlorë, shpallen në kërkim Francesko Isufaj dhe Izom Shehaj

Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, pas dokumentimit të dy rasteve të ndara të zjarrvënies në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, 27-vjeçari Francesko Isufaj dyshohet se më 2 mars 2026, në lagjen “Pavarësia”, u ka vënë flakën dy automjeteve të parkuara: një mjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit I. A., 63 vjeç, dhe një mjeti tip “BMW”, në pronësi të shtetasit E. R., 68 vjeç, të dy banues në Vlorë. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

Nga hetimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë është bërë i mundur identifikimi i tij dhe shpallja në kërkim.

Ndërkohë, 34-vjeçari Izom Shehaj dyshohet se më 3 mars 2026, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Isa Boletini”, i ka vënë flakën një dyqani në pronësi të shtetasit P. R. Edhe në këtë rast janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ndërsa strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve, si dhe për verifikimin e përfshirjes së tyre të mundshme në ngjarje të tjera të ngjashme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033