Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo ka hyrë në një fazë të re hetimore, pas dyshimeve të ngritura nga autoritetet greke se autori i krimit mund të jetë Xhuliano Halili, 44 vjeç, me origjinë nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas burimeve hetimore, Halili ndodhej në të njëjtin sektor dhe në qeli pranë viktimës në momentin e ngjarjes. Ai rezulton gjithashtu i plagosur, fakt që ka shtuar dyshimet për një përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasje.
Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori përsipër një i burgosur grek, Kristos Vardhuniotis, 27 vjeç, i cili iu dorëzua policisë duke deklaruar se ishte autori. Megjithatë, autoritetet konstatuan se në trupin e tij nuk kishte shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi i dëmtuar fizikisht në vendngjarje ishte Xhuliano Halili.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se që në orët e para pas ngjarjes, brenda komunitetit të burgjeve është përfolur se Halili mund të jetë autori real i krimit, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se ka marrë përsipër përgjegjësinë nën presion ose përfitim financiar. Këto indicie kanë çuar në thellimin e hetimeve dhe rishikimin e versionit fillestar.
Sipas burimeve të tjera, Jani Aliaj ishte përmendur prej vitesh në dosje hetimore si person i dyshuar për lidhje me përplasjet e të ashtuquajturës “Mafia greke”, megjithëse këto dyshime nuk janë provuar zyrtarisht.
Autoritetet greke kanë bërë të ditur se hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin e vërtetë të vrasjes.