Dyshime për evazion fiskal në shërbimet postare private, Prokuroria e Tiranës sekuestron 13 milionë lekë

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj disa subjekteve që ofrojnë shërbime postare private, në kuadër të dyshimeve për shitje mallrash pa fatura tatimore dhe evazion fiskal. Gjatë veprimeve procedurale janë sekuestruar rreth 13 milionë lekë, si dhe sasi të konsiderueshme mallrash dhe dokumentacion shoqërues.

Hetimet janë zhvilluar pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, çka ka sjellë ushtrimin e kontrolleve në disa subjekte që operojnë në kryeqytet në fushën e shërbimeve postare. Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve janë konstatuar mallra të marra në dorëzim dhe të shpërndara pa fatura tatimore, si dhe shuma parash që dyshohet se burojnë nga aktivitet i paligjshëm.

Autoritetet bëjnë me dije se provat e sekuestruara tregojnë elementë të qartë të paligjshmërisë, të lidhura me shmangien e detyrimeve fiskale dhe qarkullimin e parave jashtë sistemit të rregullt tatimor.

Hetimet po vijojnë për identifikimin e shitësve realë të mallrave, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme. Prokuroria e Tiranës ka theksuar se veprimet hetimore do të shtrihen edhe në zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjes, me qëllim zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të evazionit fiskal.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033