Nga 1 janari 2027, pensionistët do të përfitojnë bonus mujor të dyfishuar, ndërsa do të vijojë edhe indeksimi i pensioneve.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja Delina Ibrahimaj, e cila deklaroi se rritja e të ardhurave të pensionistëve mbetet një nga prioritetet e politikave sociale të qeverisë.
Sipas Ibrahimajt, bonusi mujor, i nisur në vitin 2026, do të dyfishohet nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe do të përfshijë të gjitha kategoritë e pensionistëve.
“Pensionistët janë në qendër të politikave tona sociale dhe rritja e të ardhurave të tyre mbetet një nga prioritetet tona. Në vitin 2026 nisëm bonusin mujor, ndërsa nga 1 janari 2027 ai do të dyfishohet për të gjitha kategoritë e pensionistëve, krahas vijimit të indeksimit të pensioneve”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Për këtë mbështetje, në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë.
Qeveria synon që deri në vitin 2030, pensioni i plotë të mos jetë më i ulët se 40 mijë lekë, ndërsa pensioni i pjesshëm të arrijë të paktën në 22 mijë lekë.
Sipas ministres, bëhet fjalë për një angazhim konkret për rritjen graduale të të ardhurave të pensionistëve.
Dyfishimi i bonusit nga 1 janari 2027 do të shoqërohet me vijimin e indeksimit të pensioneve, me synimin për të rritur të ardhurat mujore të pensionistëve dhe për të përmirësuar mbështetjen sociale për këtë kategori.
Një masë që, sipas qeverisë, synon të sjellë rritje të të ardhurave të pensionistëve hap pas hapi, deri në vitin 2030.