Dy vjet pas sulmit shkatërrimtar të Hamasit më 7 tetor, mijëra viktima dhe një krizë humanitare e përmasave të frikshme kanë ndryshuar rrënjësisht fytyrën e Lindjes së Mesme.
Kanë kaluar dy vite që nga sulmi i 7 tetorit, kur luftëtarë të udhëhequr nga Hamasit ndërmorën një ofensivë të shumëanshme kundër Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe rrëmbyer afro 250 të tjerë. Ky ishte sulmi më i përgjakshëm ndaj Izraelit në dekada, që tronditi gjithë rajonin.
Sulmi përfshiu skena tmerri: luftëtarë që fluturonin me planorë mbi një festival muzike dhe sulmonin kibbutze përgjatë kufirit të Gazës, ku civilë u vranë, u plagosën dhe u rrëmbyen në mënyrë brutale. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një spiraleje gjakderdhjeje dhe shkatërrimi që vijon ende sot.
Në reagim të menjëhershëm, Forcat Mbrojtëse të Izraelit pushtuan Rripin e Gazës, duke shkaktuar një katastrofë humanitare të pashembullt. Mbi 67 mijë njerëz janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur apo të gjymtuar.
Shumica e popullsisë prej më shumë se dy milionë banorësh është zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Uria dhe kequshqyerja janë bërë përditshmëri, ndërsa agjencitë ndërkombëtare kanë shpallur uri të plotë në disa zona të enklavës, tashmë të kthyer në rrënoja.
Kryeministri Benjamin Netanyahu kishte premtuar të “ndryshojë Lindjen e Mesme” pas sulmit, dhe lufta që pasoi u zgjerua në disa fronte. Izraeli ka goditur objektiva në Liban, Siri, Jemen dhe madje edhe në Iran, duke hapur një cikël të ri tensionesh në gjithë rajonin.
Në fillim, shumica e aleatëve të vjetër të Izraelit mbështetën reagimin e tij ushtarak. Por me kalimin e kohës, kostoja e tmerrshme për civilët solli zemërim dhe dënime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, duke rindezur thirrjet për njohjen e shtetit palestinez.
Këtë javë, Izraeli dhe Hamasi kanë nisur bisedime indirekte përmes një plani paqeje të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Nëse këto negociata japin fryte, mund të shënojnë fundin e një lufte dyvjeçare dhe lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza.
 
				 
															 
         
         
        

