Nikita dhe Fjonisa, vajzat e Kreshnik Tomanit që humbi jetën në aksident, hynë në ditën e parë të shkollës të shoqëruara vetëm nga nëna e tyre.
Në Fier, dita e parë e shkollës u kthye në një përjetim të dhimbshëm për familjen e të ndjerit Kreshnik Tomani, 35 vjeç, i cili humbi jetën më 24 gusht pas një përplasjeje me makinë, ku drejtuesi ishte një 17-vjeçar. Për Nikitën dhe motrën e saj Fjonisën, kjo ishte dita e parë e vitit të ri shkollor pa babain e tyre pranë.
Kreshniku kishte ëndërr të madhe të shihte vajzat e tij të arsimuara dhe ta ndihmonte Nikitën të bëhej këngëtare. Por fati ndërhyri brutalisht, duke i shuar atij çdo mundësi për t’i parë ëndrrat të bëhen realitet.
Të mbajtura për dore nga nëna e tyre Kristina, e cila në krahë kishte edhe foshnjën 9-muajshe, vajzat iu bashkuan shokëve dhe shoqeve të tjera në shkollën e mesme artistike “Jakov Xoxa”. Kristina, mes dhimbjes dhe forcës, u përpoq të përmbante lotët teksa ecnin drejt klasave.
Pamja e tyre, e trishtë dhe e ndryshme nga ajo e fëmijëve të tjerë që hynin me buzëqeshje në shkollë, ishte një kujtesë e fortë e peshës që lë pas një humbje e papritur. Një ditë që duhej të ishte festive, për ta u kthye në një ditë me nuanca gri. Por përtej fatkeqësive, qarku i Fierit po përballet me një zbrazje masive të bankave të shkollës.
Ndërkohë, të dhënat nga Drejtoria Arsimore tregojnë se rreth 13 mijë nxënës iu rikthyen bankave shkollore në qarkun e Fierit. Nga këta, rreth 900 fëmijë u ulën për herë të parë në klasë.
Megjithatë, shifrat flasin edhe për një rënie të numrit të nxënësve në disa zona. Në Patos, këtë vit janë 110 nxënës më pak se një vit më parë, ndërsa në Roskovec ka një ulje prej 50 nxënësish.
Në Luar, shkolla 9-vjeçare “Jorgo Sopiku” është shndërruar në shkollë vartëse, ndërsa në Mallakastër situata është më shqetësuese: vetëm 64 fëmijë u ulën në klasën e parë, krahasuar me 93 që ishin vitin e kaluar. Kjo rënie tregon sfida të reja për sistemin arsimor në zonë.