Dy të rinjtë, Klement Beqaj dhe Melisa Beluli, përkatësisht 25 dhe 29 vjeç, të dyshuar si bashkëautorë të ngjarjes së plagosjes së ish-bashkëshortit të së dashurës dhe të dashurës së tij, janë ende në kërkim që nga mbrëmja e së dielës, kur Fieri u trondit nga një plagosje në mes të qytetit, rreth orës 21:00.
25-vjeçari, ditën e ngjarjes, e diel, 5 janar, shkoi në një lokal pranë vendit të njohur si “Zogu i Zi” në Fier, ku ndodhej ish-bashkëshorti i së dashurës me djalin e mitur. Sipas dëshmitarëve, pas një debati të çastit, ai i mbështeti pistoletën në trup dhe e qëlloi me një plumb. Në momentin e ngjarjes së rëndë ishte e pranishme edhe ish-bashkëshortja e të plagosurit, Melisa Beluli, e cila u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes së bashku me të dashurin në një automjet tip “Ford”. Ndërkohë, 40-vjeçari me iniciale G.H. u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Për shkak të mosndalimit të hemorragjisë nga mushkëria e prekur nga plumbi, ai u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku pas pesë ditësh ende po lufton për jetën.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, “dy të dashuruarit” u larguan drejt Patosit me një makinë të marrë me qira dhe ende nuk janë lokalizuar nga policia. Drejtori i Policisë Vendore Fier, Skënder Hitaj, deklaroi se verifikimet dhe kontrollet kanë vijuar pa ndërprerje, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat.
Ndërkohë që ngjarja mbetet pezull, janë disa çështje që prokuroria duhet t’i hetojë në mënyrë të detajuar, pasi kjo ngjarje, sipas provave, paraqitet si “vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim me paramendim.”
Pyetje që kërkojnë hetim:
- A dispononte autori një makinë të marrë me qira?
- A e nxori ish-bashkëshortja 40-vjeçarin në pritë, duke e telefonuar vazhdimisht për të marrë fëmijën 10-vjeçar?
Dikush që mbështet pistoletën në bark dhe e shkrep, nuk e bën për të plagosur, por për të marrë jetën.
Një nga aspektet më të rënda të kësaj ngjarjeje është fakti që autori e qëlloi 40-vjeçarin në sy të fëmijës së mitur, i cili aktualisht është i traumatizuar dhe ndodhet në përkujdesjen e familjarëve të të atit. 40-vjeçari, një prej punonjësve më aktivë të medias fierake, po lufton për jetën, ndërsa autori i dyshuar vazhdon të fshihet së bashku me shoqëruesen.
Ndërkohë, çifti i ish-bashkëshortëve ishte në proces divorci prej tre muajsh, ndërsa ish-bashkëshortja bashkëjetonte me të dashurin, së bashku me djalin e mitur.